Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë kërkesë të re në GJKKO për zëvendësim të masës së sigurisë.
Berisha ka kërkuar heqjen e masës arrest në shtëpi, por seanca në GJKKO është shtyrë. Shkak i shtyrjes, është bërë mungesa e prokuroreve. Përmes një shkrese, dy prokuroret e SPAK, vunë në dijeni gjykatën se nuk mund të paraqiteshin në seancë për arsye objektive. Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 8 prill, në orën 13:00.
Ashtu si në çdo seancë, avokatët e Berishës, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u paraqitën në ambientet e GJKKO.
Berisha ka bërë disa herë kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, por ajo është refuzuar. Po ashtu ai ka kërkuar që të jetë i pranishëm në seancat plenare, si e drejtë e tij për të përfaqësuar interesin e qytetarëve që e kanë zgjedhur, në Kuvend. Pavarësisht pretendimeve të tij, GJKKO ka refuzuar kërkesat.
Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK.
Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.