Do të zhvillohet këtë të diel në ‘Air Albania’ derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani, sfidë që do të mbyllë edhe javën e 33-të të Superligës.
Kjo është një sfidë jetike për bardheblutë, që duan zonën “Final 4”, ndërsa nga ana tjetër, të kuqtë vijnë disi më komodë, por gjithsesi, ende nuk e kanë siguruar pjesëmarrjen mes katër skuadrave më të mira. Partizani aktualisht renditet në vendin e tretë me pesë pikë më shumë se Tirana e vendit të gjashtë, që u parakalua të shtunën nga Dinamo dhe Skënderbeu.
Përballja e kësaj të diele premton spektakël në stadiumin kombëtar, jo vetëm për rivalitetin, por mbi të gjitha për atë që të dyja ekipet kryeqytetase kanë dhënë sidomos në sulm. Tirana kryeson goditjen e portës kundershtare me mesatarisht 11.56 gjuajtje drejt portës për ndeshje, ndërsa Partizani me 11.21.
Ndryshe është situata në aspektin mbrojtës. Tirana pëson mesatarisht 11.3 goditje drejt portës për ndeshje, edhe pse ka një sulm të mirë. Te Partizani është ndryshe, pasi ka mbrojtjen e tretë më të mirë në kampionat për numrin e goditjeve të marra.
Për shkak të rëndësisë që sfida paraqet në kuadër të sigurisë, policia ka njoftuar edhe bllokimin e disa rrugëve. Prej orës 14.00 do të bëhet kufizimi i qarkullimit në rrugët rreth stadiumit. Në orën 17.00 do të bllokohen segmentet rrugore përreth stadiumit, deri tek ‘rruga “Papa Gjon Pali II” tek Piramida, rruga ‘Ismail Qemali” pranë kryeministrisë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe nga Presidenca tek sheshi “Nënë Tereza”.