Sot pritet të zhvillohet takimi i radhës i kryengociatorëve në Bruksel ndërmjet kryengociatorit kosovar, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviç në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Në Prishtinë, njohësit e procesit të dialogut shprehin optimizëm se do të arrihet një zgjidhje për çështjen e dinarit. Ata vlerësojnë se në takimin e tretë Bislimi- Petkoviç do të gjendet kompromisi edhe me insistimin të BE-së.
Sipas tyre, pala kosovare duhet të insistojë në ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit, por të pajtohet për një zgjidhje tranzicioni ku nuk dëmtohen qytetarët serbë në Kosovë.
Politologu Fidan Ukaj thotë për KosovaPress se duke parë dinamikën e takimeve të shpeshta në Bruksel, por edhe insistimin e faktorit ndërkombëtar do të arrihet një dakordim për çështjen e dinarit.
Optimist shprehet edhe njohësi i procesit të dialogut, analisti Dorajet Imeri, i cili pret që palët në takimin e së enjtes të dakordohen për çështjen e dinarit. Përkundër takimeve në dy javët e fundit Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur një dakordim për çështjen e dinarit.
Pas takimit të javës së kaluar, kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë se propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës. Sipas tij, pala kosovare ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi.