Jetëgjatësia është rritur me 6.2 vite që nga viti 1990 pasi shkaqet kryesore të vdekjes si diarreja, infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, goditjet në tru dhe sëmundjet ishemike të zemrës janë trajtuar. Ky studim është botuar në “The Lancet”. Sidoqoftë, menaxhimi i dobët i pandemisë Covid-19 “kufizoi” përparimin në shumë vende. Rajoni që përfshin Azinë Juglindore, Azinë Lindore dhe Oqeaninë pati rritjen më të madhe të jetëgjatësisë midis viteve 1990 dhe 2021, duke shënuar rekordin me 8.3 vite. Në këto vende ra vdekshmëria nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes, goditjet në tru, infeksionet, por edhe mënyra sesi menaxhuan pandeminë e koronavirusit. Azia Jugore pati rritjen e dytë më të madhe në jetëgjatësi (7.8 vjet).
Po ashtu, studiuesit nxjerrin në pah vendet ku disa nga sëmundjet më të rënda janë të përqendruara. Për shembull, në vitin 2021 vdekjet nga sëmundjet enterike u përqendruan kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore. Për më tepër, 90% e vdekjeve nga malaria ndodhën në një rajon të banuar nga vetëm 12% e popullsisë së botës dhe që shtrihet nga Afrika perëndimore nën-Sahariane, përmes Afrikës qendrore, deri në Mozambik. Vendet me të ardhura të larta kanë reduktuar vdekjet nga shumë lloje sëmundjesh jo të transmetueshme, ndryshe nga shumë vende me të ardhura të ulëta.
Studimi, i kryer nga Instituti i Pavarur i Kërkimeve Amerikane për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit, gjithashtu thekson sesi Covid-19 ka ndryshuar rrënjësisht 5 shkaqet kryesore të vdekjes për herë të parë në 30 vjet. Për herë të parë, pandemia u bë “vrasësja” kryesore. Rajonet më të prekura nga pandemia Covid-19 ishin Amerika Latine dhe Karaibet, si dhe Afrika Sub-Sahariane. Së fundi, studimi nxjerr në pah kërcënimet e reja nga sëmundjet jo të transmetueshme, si diabeti apo dhe sëmundjet e veshkave, të cilat janë në rritje në çdo vend.