Superjahti “Aviva” i miliarderit britanik Joe Lewis, presidentit të klubit anglez të futbollit “Tottenham Hotspur” ka mbërritur të premten në darkë në portin detar të Durrësit ku do të qëndrojë deri të hënën. Aviva është ankoruar në kalatën nr. 5 të portit detar. Me një gjatësi prej 98,4 metrash dhe ekuipazh prej 35 vetash, superjahti mund të akomodojë deri në 16 persona në 8 suitat e tij.
Ai është ndërtuar në Gjermani në 2017 dhe i përket pronarit të Totenhamit, Lewis, i cili, sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, pritet të mbërrijë në vendin tonë në linjë ajrore për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama.
Nuk dihet arsyeja e këtij takimi, por më pas miliarderi britanik me shumë gjasa, sipas burimeve nga porti i Durrësit, do të largohet nga vendi me jahtin e tij. Pritet që jahti të furnizohet dhe me karburant gjatë qëndrimit në portin e Durrësit.
Joseph C. Lewis, i lindur më 5 shkurt 1937, është një biznesmen, investitor dhe filantrop britanik, i cili zotëron një numër pasurish kryesisht përmes portofolit të investimeve të Tavistock Group. Më parë ishte pronari kryesor i ENIC Group, që kishte klubin e futbollit Tottenham Hotspur nga viti 1991 deri në tetor 2022. Më pas pronësia kaloi te fondacioni i familjes Lewis.