Uljen në tryezën e dialogut me mazhorancën për adresimin e shumë prej shqetësimeve të ngritura në raportin e OSBE-ODIHR-it, deputetja demokrate Jorida Tabaku, e sheh si një detyrim që klasa politike duhet të përmbushë Por ajo shprehet skeptike se maxhoranca do të reflektojë propozimet e demokrateve në ligjin elektoral.
Në një intervistë për Tv Klan, ajo rendit çështjet për të cilat thotë se opozita duhet t’i ketë prioritet të punës për Reformën Zgjedhore.
Jorida Tabaku: Sugjerimi im kryesor ka qenë që ne duhet të zgjedhim një sistem dhe duhet të zgjedhim një mënyrë ta afrojmë deputetin me votuesin dhe jo ta largojmë atë. Sistemi më i mirë është ai mazhoritar dhe pikërisht listat e hapura, unë besoj që e ofrojnë këtë mundësi. Vota e diasporës është akoma në pikëpyëtje dhe ky duhet të ishte prioriteti i parë i opozitës.
Paralelisht me ndryshimet në Kodin Elektoral, Tabaku thotë se klasa politike duhet të ecë edhe me reformën administrative-territoriale, për të cilën në Tetor të vitit 2022 palët dolën me dy raporte.
Socialistët i qëndronin ndarjes me 61 bashki, ndërsa demokratët propozuan që të jete 94 numri i njësive të qeverisjes vendore.
Jorida Tabaku: Qeveria është fokusuar tek interesi elektoral, megjithëse kemi pasur informacione që qeveria ndoshta mund të vijojë në mënyrë të njëanshme me të. Ajo sigurisht kërkon 84 vota në Parlament. Unë shpresoj që të mos vazhdojnë në mënyrë të njëanshme sepse të gjitha reformat e njënashme kanë dështuar.
Me afrimin e zgjedhjeve, sërish me forcë artikulon tezën e bashkimit brenda demokratëve, pasi thotë se ndarja favorizon mazhorancën.
Jorida Tabaku: Të bashkohemi njëherë në zgjedhje, të japim një ofertë për qytetarët, të bëhemi të besueshëm, të ngremë atë alternativë që njerëzit sot presin nga ne.
Nëse bashkimi nuk ndodh, pasojat sipas Tabakut janë një “déjà vu”.
Jorida Tabaku: Ne do të kemi një pamje të zgjedhjeve të vitit të kaluar, ku kemi një pjesëmarrje shumë të dobët në zgjedhje.