Nga Mero Baze
Pati një detaj sot nga shfaqja publike e Argita Berishës që bën qesharakë jo vetëm avokatët mbrojtës të Sali Berishës por dhe gjithë aspirantët politik që pretendojnë të bëjnë karrierë në partinë e tij.
Detaji i parë ishte se ajo doli si shefe e avokatëve të babait dhe burrit të saj. D.m.th. ajo fliste ata dëgjonin dhe mbanin shënim.
Tani nuk dua të diskutoj aftësitë e avokatëve të tyre, se vet i kanë zgjedhur, dhe pasi i zgjedh, lëri të paktën të të mbrojnë.
Shfaqja e Argitës, dhe fjalimi i saj në prani të dy avokatëve i bënte ata të dukeshin si punonjës të zyrës avokatisë së saj, nga ata që fotokopjojnë letra dhe i bëjnë gati dosjet shefes.
Dhe kjo është shumë interesante, pasi tregon se këta edhe avokatët i zgjedhin falsë, dhe duan të jenë vet avokat.
Çdo politikanë në botë kur ka punë me drejtësinë përpiqet të gjej një avokat të zotin t’ia besoj atij mbrojtjen. Sali Berisha, nga sëmundja që ka që do të kontrolloj çdo gjë dhe avokate reale paska vajzën, kurse avokatët e tij zyrtarë qenkan ndihmës të saj.
Përndryshe nuk ka kuptim, që ajo të dal të flas e ata të mbajnë shënime mbi procesin gjyqësor ndaj tij dhe dhe dhëndërit të tij.
Pra ky dhe mbrojtjen ja ka besuar vajzës. Por kur e paska kaq të zonjën vajzën, pse nuk e ka këshilluar si të mos vjedh, por e la lënë ta këshillojë si të mbrohet. Se 90 për qind të asaj dosje hajdutësh e ka bërë Argita. Dy burrat e tjerë, babai dhe burri i saj, thjeshtë kanë bërë çfarë u ka diktuar kjo.
Detaji i dytë ishte deklarata e saj se do hyj në politikë zyrtarisht. Dhe kjo në fakt i ngjante detajit të parë.
Ashtu si ai merr avokat fals për ti mbrojtur por në fakt ka vajzën, ashtu dhe këta që i merr tek partia gjoja si figura që do konkurrojnë, i merr fals, se kryetare de facto pas tij është vajza.
Dhe sot ajo e bëri të qartë dhe këtë.
Pastaj ata që thonë që tek kjo parti do ketë garë, do ketë rregulla, do ketë karrierë, do ketë vlerësim kontributesh e kanë të freskët shembullin. Gjin Gjoni nga gjyqtar i anatemuar për korrupsion dhe i damkosur nga çdo ambasadë perëndimore në Tiranë, emërohet kryetar i degës së partisë në Lezhë, dhe nuk vihet fare në diskutim fitorja e thellë. Dhe ai vjen nga fronti i luftës kundër drejtësisë së re, ashtu si Argita.
Ndaj mirë është ta dini kë keni kryetare. Luftoni ti hyni në emër dhe asaj, jo vetëm Saliut.