Një gol i Kristal Abazajt në minutën e 89 të ndeshjes i ka mjaftuar Tiranës për të marrë tri pikë kundër Kukësit. Në “Air Albania” sfida e javës së 31-të të Superligës u vendos vetëm në limite, me Tiranën që me këtë tri pikësh ngjitet momentalisht në pozitën e katërt.
Në kryeqytet ndeshja nisi në ekuilibër, me të zotët e shtëpisë që filluan të merrnin kontrollin e ndeshjes pas kalimit të minutave, megjithëse djemtë e Bledar Devollit nuk qëndruan duarkryq dhe patën shanset e tyre.
Ishte një aksion model i bardhebluve që zhbllokoi ndeshjen, me Abazajn që nuk e pati të vështirë të dërgonte sferën në rrjetë. Karton i verdhë për sulmuesin që gjatë festës hoqi fanellën.
Kjo ishte sfida hapëse e kësaj jave, teksa Tirana me 43 pikë merr vendin e katërt. Kukësi me 26 pikë vijon të jetë në fund. Kështu, Tirana rikthehet te tri pikët dhe futet në “Final 4”, zonë kjo që të çon në ndeshjet shtesë për titullin kampion.
Ndërkohë pas ndeshjes lojtarët bardheblu u afruan te tifozët e tyre, me këta të fundit që kontenstuan sezonin jo të mirë me sharrje dhe ofendime karshi futbollistëve, duke u kthyer pas fanellat.