Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi për një tjetër aplikim të paraqitur pranë saj për një impiant fotovoltaik me kapacitet 10 MW. Në një publikim të fundit MIE njoftoi se pala e interesuar është një shoqëri private që nuk përfiton nga masat mbështetëse. Kjo do të thotë se impianti do të mund të shesë energjinë në treg të lirë dhe nuk e ka të garantuar blerjen nga shteti teksa do të duhet të paguajë një fee( tarifë) konceisonare që duhet të jetë në energji ose në vlerë të barasvlershme në lekë.
“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë:
Shoqëria “GEMTECH ALBANIA” sh.p.k ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 10 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt konçesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier, Qarku Fier” thuhet në publikimin e MIE.
Pak ditë më parë MIE njoftoi edhe mbi aplikimin e Gener 2 për një impiant fotovolatik me kapacitet të instaluar 50 MW dhe me të njëjtin formulë. Aktualisht në vend janë dhjetëra projekte në faza të ndryshme të zbatimit të tyre ose të dokumentacionit.
Referuar raportit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2023 thuhet se të paktën tre impiante të mëdhenj janë përfunduar dhe energjizohen në vitet 2024-2025 ku bëjnë pjesë Kavarstaja 140 MË si dhe Parku Blue1 dhe Blue 2 me kapacitet 115 MW.
Një pjesë e impianteve tashmë kanë lidhur marrëveshje me sistemin e transmetimit ndërkohë që të tjerë kanë marrë miratim ose rimiratimin në parim për lidhje në këtë sistem. Po kështu janë me dhjetëra që kanë marrë opinion paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit.
Orientimi i investimeve në energjinë diellorë mori sidomos një nxitje gjatë krizës së energjisë 2021-2022 ku një pjesë e projekteve që po shfaqen tani në letër i takojnë asaj periudhe. Paralelisht me investimet private janë zhvilluar edhe ankandet e qeverisë ku përveç Karavastasë dhe Spitallës këtë maj pritet të hapen ofertat për ato hibride, një procedurë e çelur në fillim të këtij viti për një kapacitet 300MW./ Monitor