Tonin Sterkaj, gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër është sulmuar me një sasi lëndë plasëse orëve të para të së djeshmes. Një sasi e vogël tritoli, sipas ekspertëve, është vënë në derën e jashtme të banesës së gjyqtarit, i cili ka qenë në gjumë dhe në shtëpi ndodheshin vetëm ai dhe bashkëshortja e tij.

Pas zhurmës së dëgjuar, gjyqtari ka dalë jashtë, por pa kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e gatshëm kanë nisur hetimet, ndërkohë që kanë mundur të hapin edhe kamerat që kanë fiksuar edhe personin që e ka vënë lëndën plasëse në derën e banesës së Sterkajt.

Sulmi me tritol në banesën e gjyqtarit ka bërë që të ketë reagime të shumta, që nga ministrat, te deputetët e deri te ‘qeveria’ e gjyqësorit, KLGJ, që ka dalë menjëherë me një deklaratë për mediat, po ashtu KLGJ ka njoftuar se do të mblidhet ditën e sotme për të vendosur në lidhje me sigurinë e gjyqtarëve, duke dëshmuar kështu se me sulmin ndaj gjyqtarit të shkallës së parë të Shkodrës, asnjë gjyqtar nuk është i sigurt në punën e tij.

Edhe vetë i shënjestruari nuk i ka mohuar për asnjë moment se kërcënimit të mos i vinte për shkak të detyrës, pasi ai në dëshminë e tij, po ashtu siç edhe gruaja e tij, i kanë qëndruar versionit se nuk kanë asnjë problem tjetër në jetën e tyre, ndaj edhe të gjitha hetimet dhe versionet janë ngritur në pistën e ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit Sterkaj, për të parë se ku mund të ketë ‘gabuar’ në ndonjë vendim gjyqtari. Ndërkohë mësohet se grupi hetimor do të marrë në duar edhe të gjitha çështjet aktuale të cilat gjykon gjyqtari, pasi më herët ai ka qenë një nga gjyqtarët më të njohur të asaj gjykate për shkak se gjykonte të mitur, duke u bërë edhe një prej emrave më të zëshëm për sa iu përket kategorisë së fëmijëve për të mos i dënuar ashpër për aktet e tyre!

NGJARJA SIPAS POLICISË

Një sasi tritoli shpërtheu në orët e para të mëngjesit në banesës e shtetasit Tonin Sterkaj, me detyrë gjyqtarë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 3:13 minuta në lagjen “Tom Kola” bën të ditur policia vendore e Shkodrës. Sasia e tritolit është vendosur te porta e oborrit të banesës së gjyqtarit Sterkaj vijon më tej policia teksa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Një person futet në rrugicë dhe ecën në këmbë dhe pasi mbërrin tek dera e banesës së gjyqtarit Sterkaj vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet me shpejtësi dhe pas pak sekondash ndodh edhe shpërthimi.

Autori është i maskuar në fytyrë dhe deri më tani nuk është identifikuar nga efektivët. Ndërkohë gjyqtari Sterkaj ka qenë brenda banesës kur ka ndodhur shpërthimi së bashku me familjen e tij.

Pasi ka dëgjuar zhurmën, ka dalë në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur në derën e tij. Një komshi e ka njoftuar dhe më pas ka vërejtur se ngjarja lidhet me të. Gjyqtari Sterkaj ka dhënë një dëshmi në policinë e Shkodrës duke thënë se dyshon se kjo ngjarje lidhet me detyrën e tij si gjyqtarë në gjykatën e Shkodrës por pa e pasur të qartë se për cilin rast mund të bëhet fjalë konkretisht. Policia vendore e Shkodrës është duke hetuar dhe sipas burimeve ka disa të dhëna që mund të çojnë në zbulimin e autorit të vendosjes së tritolit, i cili sipas efektivëve është një person që mendohet se është paguar nga dikush tjetër që ka pasur çështje në gjykatë. Policia vijon kontrollet në zonë dhe po ashtu grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

REAGIMI I KLGJ

KLGJ thotë se dënon këtë akt të rëndë, ndërsa thotë se ngjarje të tilla cenojnë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare. KLGJ kërkon nga organi i akuzës që ngjarja të zbardhet sa më parë dhe autorët të nxirren para përgjegjësisë ligjore. Ata me anë të një njoftimi ditën e djeshme thanë se:

“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë. Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, – thuhet ne reagimin e KLGJ.

MINISTRI I DREJTËSISË

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, reagoi pas sulmit me tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj, duke kërkuar nga organet ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen.

“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time! Si ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë! Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast”, – theksoi në reagimin e tij ministri i Drejtësisë.

REAGON BARDHI

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas sulmit me tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të zbardhin menjëherë çështjen. Në një reagim në “X’, Bardhi është solidarizuar plotësisht me gjyqtarin dhe familjen e tij, ndërsa thekson se aktet për intimidimin me metoda mafioze të magjistratëve në detyrë janë jo vetëm cenim i sigurisë së tyre dhe familjes së tyre, por prekin gjithë shoqërinë.

“Duke u solidarizuar plotësisht me të dhe familjen e tij, u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbardhin menjëherë çështjen dhe të vendosin para përgjegjësisë autorët, duke i bërë shembull të vendosmërisë sonë për të mos lejuar cenimin e sigurisë ndaj magjistratëve”, – shkruan ai.