Një sasi tritoli shpërtheu në orët e para të mëngjesit në banesës e shtetasit Tonin Sterkaj, me detyrë gjyqtarë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 3:13 minuta në lagjen “Tom Kola” bën të ditur policia vendore e Shkodrës. Sasia e tritolit është vendosur tek porta e oborrit të banesës së gjyqtarit Sterkaj vijon më tej policia teksa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Një person futet në rrugicë dhe ecën në këmbë dhe pasi mbërrin tek dera e gjyqtarit Sterkaj vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet me shpejtësi dhe pas pak sekondash ndodh edhe shpërthimi. Autori është i maskuar në fytyrë dhe deri më tani nuk është identifikuar nga efektivët.
Ndërkohë, gjyqtari Sterkaj ka qenë brenda banesës kur ka ndodhur shpërthimi së bashku me familjen e tij. Pasi ka dëgjuar zhurmën ka dalë në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur në derën e tij.
Një komshi e ka njoftuar dhe më pas ka vërejtur se ngjarja lidhet me të. Gjyqtari Sterkaj ka dhënë një dëshmi në policinë e Shkodrës duke thënë se dyshon se kjo ngjarje lidhet me detyrën e tij si gjyqtarë në gjykatën e Shkodrës por pa e patur të qartë se për cilin rast mund të bëhet fjalë konkretisht.
Policia vendore e Shkodrës është duke hetuar dhe sipas burimeve ka disa të dhëna që mund të çojnë në zbulimin e autorit të vendosjes së tritolit i cili sipas efektivëve është një person që mendohet se është paguar nga dikush tjetër që ka patur çështje në gjykatë.
Policia vijon kontrollet në zonë dhe po ashtu grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa pak më përpara pati një periudhë dy vjeçare që ishte në gjykatën e apelit të Shkodrës dhe pas mbylljes së kësaj të fundit u rikthye në shkallën e parë duke vijuar detyrën e tij.