Luftimet mes grupit militant shiit, Hezbollah, dhe Izraelit në jug të Libanit, kanë shtyrë dhjetëra mijëra fëmijë dhe të rinj, së bashku me familjet e tyre, drejt mjerimit, thanë punëtorët e ndihmës.
Sulmet ajrore izraelite, pothuajse në baza ditore, kanë shkatërruar jetën e njerëzve dhe shumica e tyre veçse po përballeshin me kushte të rënda jetese, tha organizata për fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF. Numri i fëmijëve që punojnë është në rritje, ndërkaq disa familje dërgojnë fëmijët e tyre edhe të moshës 4 vjeçe për të punuar në fusha, me qëllim që të fitojnë para për mbijetesë, tha Ettie Higgins, zëvendësdrejtor i zyrës së UNICEF-it në Liban. Shumë fëmijë janë të kequshqyer dhe të tjerët vuajnë nga ankthi. Këto, sipas Higgins, janë pasoja të kushteve të jetës, sepse fëmijët kur rriten nuk tejkalojnë problemet shëndetësore të cilat iu shfaqen që në fëmijëri.
Higgins tha se disa shtete kanë reduktuar mbështetjen e tyre humanitare për Libanin. Si rezultat i kësaj, shumë programe të UNICEF-it të ndërpriten në kohën kur ka nevojë më shumë se kurrë për ndihmë. Shkollat dhe rrjetet e ujësjellësit janë shkatërruar pjesërisht nga sulmet ajrore izraelite dhe qendrat e kujdesit shëndetësor janë mbyllur. Hezbollahu ka hedhur raketa, municione të artilerisë dhe raketa kundërtanke ndaj Izraelit nga territori i Libanit, që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Hezbollahu ka thënë se sulmet ndaj Izraelit bëhen në “solidaritet” me Hamasin në Rripin e Gazës. Izraeli si kundërpërgjigje sulmon pozicionet e Hezbollahut. Shumica e luftimeve janë përqendruar në rajonet kufitare të Libanit./REL