Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me administratorët e Njësive Administrative të kryeqytetit, të cilëve u kërkoi të shtojnë ritmin e punës, për të bërë edhe më shumë projekte të mira për Tiranën. Ai tha se kush bën shumë punë, sulmohet edhe më shumë, por vuri theksin te vendosmëria e tij për të çuar punët përpara në Tiranë dhe për të qenë sa më transparent.

Kryebashkiaku u shpreh se ndihet krenar që institucioni që ai drejton ka bërë 1001 punë, e ka bërë Tiranën kryeqytetin e Rinisë, Kryeqytetin e Sportit, kurse vitin tjetër Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut. Ndërsa, ai theksoi se nga puna e bërë në Tiranë, ku sot qyteti është më i pastër, më i ndriçuar, me super shkolla, kopshte çerdhe të reja, e ku është rritur ndjeshëm vlera e pronës dhe numri i turistëve, kanë përfituar të gjithë, edhe ata që janë kundër dhe protestuan sot.

“Dua që të gjithë ta mbajmë kokën lart, të ecim me vendosmëri përpara! Kolegëve tanë iu uroj shumë kurajë dhe shumë vërtetësi për të sqaruar të gjitha këto problematika. Por, qyteti duhet të ecë përpara! Ky qytet ka 1000 kantiere të hapura. Ne duhet të mbarojmë urgjent pallatet në Kombinat, lotin e parë me 150 apartamente, lotin e dytë me 200 të tjera, që të strehojmë 350 familjet e para. Ju kujtohet njerëzve Kombinati, kur Ilir Meta me Monikën, para se të kërcenin sot para Bashkisë dhe të bënin paralele aty, bënin paralele me jetën e njerëzve në Kombinat? Na futën në gjyqe pa fund, vetëm që mos të bëheshin ato pallate. Por tani që pallatet po mbarojnë, duhet ta kuptojnë që janë për njerëzit”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se sulmet mediatike të dirigjuara nga politika vetëm sa ia kanë shtuar vendosmërinë për të bërë më shumë punë të mira për Tiranën.

“Dua ta dini këtë: Këto sulme dhe diarre mediatike e politike më kanë dhënë vendosmëri, por dua të them se edhe më i poshtri i këtyre që protestuan sot është më i pasur sepse jeton në Tiranë. Gjithë këta ‘mitingashët’ sot, edhe Argita me shtëpitë e saj, edhe Zeni, edhe Monika, edhe Iliri, edhe Bardhi, edhe vilat e Nokës, edhe ky dhëndri ynë, janë më të pasur sepse jetojnë në një qytet të cilit i është rritur vlera e pronës. Ata shajnë përditë dhe vetëm pasurohen duke sharë, sepse jetojnë në një qytet që pastrohet, vizitohet, që ka shumë turizëm, që ka shumë më shumë reputacion, një qytet shumë herë më të pastër dhe të ndriçuar, me super-shkolla, kopshte dhe çerdhe, dhe sigurisht rritet vlera e pronës kudo që punohet. Këta janë bërë të pasur vetëm duke sharë, këta rrijnë dhe pasurohen për qytetin që pastrojmë ne, ndërtojmë ne, ndriçojmë ne dhe e bëjmë ne të funksionojë. Në këtë sens, e kam shumë të rëndësishme që, jo vetëm që mos ulet ritmi, përkundrazi, të shtohet ritmi edhe në Bashki. Sigurisht, do të super-shtohet ritmi edhe në angazhimin tim politik. Ne do të kemi një fitore spektakolare në Tiranë. Nëse këta mendojnë se do t’ia ulin kokën kësaj skuadre, i kanë bërë hesapet gabim”, u shpreh Veliaj.