Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në 1 Maj, në Ditën e Punëtorëve, ka falenderuar veçanërisht të gjithë efektivët e policisë, si ata të Policisë Bashkiake, edhe ata të Policisë së Shtetit apo të Policisë Rrugore, për gjithë punën e palodhshme.

“Falenderoj me gjithë zemër Policinë tonë Bashkiake, e cila nga një çetë e shpartalluar, me një qytet të dalë duarsh, ku shiteshin rroba rrugëve, ku hahej e pihej mbi puseta të hapura, ku miu bënte kërdinë, është kthyer në një institucion të denjë. Dua një super-duartrokitje edhe për Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore, që mban një trafik të jashtëzakonshëm në Tiranë, prej shtimit të fluksit të turistëve sepse fluksi i turistëve ka dyfishuar popullsinë në Tiranë. Dua të falenderoj edhe ata që shërbejnë, që merren me rastet e dhunës në familje, me fëmijët në situatë rruge etj”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se në një Tiranë ku çdo vit ka mbi 10 milionë turistë, puna e efektivëve të policisë është akoma më intensive për të mbajtur qytetin në rregull dhe të sigurt.

“Në Tiranë vijnë 10 milionë turistë në vit. Në një qytet me 1 milion qytetarë do të thotë që rritet thuajse me nga 1 milion të tjerë çdo muaj. Do të thotë që, për pastrimin është dyfishuar puna çdo muaj, për amortizimin e rrugëve është dyfishuar puna çdo muaj, për ata që shtrojnë pllaka është dyfishuar puna çdo muaj, për ata që kujdesen që dikush ka thyer një degë peme është dyfishuar puna çdo muaj. Por, mbi të gjitha respekt për Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit e atë Rrugore, sepse puna e tyre është shumëfishuar. Kur takoj turistë që më thonë si më respektojnë policët e qytetit të Tiranës, të bashkisë apo shtetit, nuk më respektojnë as në vendin tim për të treguar, për të më ndihmuar, për të më dhënë ndihmën e parë e të shpejtë apo për të më orientuar, është një kompliment i jashtëzakonshëm që i bëhet këtij qyteti”, u shpreh Veliaj.