Nga Artur Ajazi/
Ka afro 1 dekadë e gjysëm, që shqiptarët pyesin e pyesin çdo 4 vjet “kur do të largohet kasta e vjetër e politikanëve”. Ata pyesin, por edhe ata nuk “dëgjojnë”, nga ai vesh, dhe vazhdojnë të qetë mbretërimin e tyre majë posteve partiake. Ka prej tyre që u kanë hipur kolltukëve të kryetarit qysh në 1991 apo 1992, dhe nuk kanë shanse të ikin vetë. Atëhere duhet të veprojë vota ? Por a kanë mundësi shqiptarët, të largojnë me votë kastën e vjetër të politikanëve ?
Disa prej tyre i kaluan partitë me demek tek “më të rinjtë”, dhe aktualisht kanë sërish ndikime në vijën politike të tyre. Kasta e vjetër e politikanëve, mbart mbi supe mëkate dhe krime të tranzicionit 30 e ca vjeçar, dhe natyrisht nuk mund të vetëlargohet, por duhen larguar me votën e lirë të shumicës së shqiptarëve. Mbi supet dhe shpirtin e tyre, rëndojnë krime të papara dhe padëgjuara, që u ka lënë shteg pushteti, të rrëshqasin, dhe t’ja hedhin drejtësisë së deritanishme.
Fajdet, hapja e depove dhe shkatërrimi i shtetit, ekzodet masive, shkatërrimi i pasurive kombetare, shkatërrimi i arsimit, shkencës, ekonomisë, dhe bukurive tona natyrore, pengesat e qëllimshme dhe propoganda në shqip dhe gjuhë të huaj kundër fateve dhe të ardhmes së vendit, vjedhja e madhe e parave nga investimet deri tek ato me afera korruptive, apo dhe lidhja me segmente të krimit të organizuar me qëllime përfitimi, janë vetëm disa prej indicieve që duhet të ketë SPAK-u sot për të vënë para ligjit kastën e vjetër. Dhe nuk janë pak, por një dyzinë me emra kryetarë partish, apo dhe ish-funksionarë partish, që enden sot lart e poshtë, duke blerë dhe shitur pasuri, dhe duke bërë transaksione të tjera bankare në miliona euro, që duhet të ishin në burg.
Por ka edhe një mënyrë tjetër, me të cilën bota e qytetëruar i largon politikanët e molepsur, dhe kjo është vota. Por a kemi gjasa ne shqiptarët, ti largojmë me votë të lirë, kastën e vjetër të politikanëve, me soj dhe sorrollop, që kanë kapur për “fyti” fatet e vendit dhe fatet tona ?
Vota e lirë e zgjedhjeve të 2025, duhet të jetë momenti final, dhe shansi i fundit, që kasta e vjetër e politikanëve, të largohet nga ekranet, nga postet që mbajnë prej 3 dekadash e ca, dhe për ti hapur rrugën të ardhmes së vendit dhe shqiptarëve. Brezat e rinj, po rriten me hijet e fantazmave të tyre, duke deformuar gjithçka të bukur që ka në ëndërrat e tyre. Vota e lirë e 2025, duhet ti japë “grushtin e fundit” kastës së vjetër të politikanëve, në rast se duam integrimin, lirinë dhe demokracinë e fjalës dhe mendimit të lirë.