Karlo Ançeloti ka bërë të qartë se Arelien Tçuameni do të jetë mungesa e madhe e Real Madrid për finalen e Ligës së Kampioneve të fundjavës së ardhshme ndaj Borusia Dortmundit. Futbollisti francez ka qenë thuajse i pazëvendësueshëm në dy vitet e fundit me teknikun italian por një dëmtim do ta lërë jashtë kësaj finaleje.
“AI nuk është i gatshëm për finalen, por do të jetë i pranishëm për Europianin”, theksoi Ançeloti, duke bërë të qartë se Deshamp nuk kishte pse frikësohej pasi dëmtimi i tij mund të rikuperohej para fillimit të aktivitetit të përfaqësueseve.
Kësisoj, do të jetë Kamavinga lojtari i zgjedhur për mesfushën e Realit përkrah Toni Kros. Problemi është se Tçuamen shpesh luante edhe si qendërmbrojtës emergjence, apo duke iu shtuar vijës së mbrojtjes në raste të veçanta gjatë ndeshjes. Gjë të cilën Kamavinga nuk e bën në mënyrë po aq efektive dhe mund të krijojë probleme për Ançelotin.