Kryeministri Edi Rama në një bisedë me gazetarët para kthimit nga Samiti Rajonal i Ballkanit Perëndimor me BE, komentoi takimin në Athinë me diasporën. Rama komentoi ndër të tjera edhe akuzat, se në Athinë ka pasur shumë shqiptarë, që janë dërguar me autobusë nga Shqipëria. Rama tha se akuzat lëndojnë ata që erdhën, duke shtuar se në stadium nuk kishte vetëm anëtarë të PS-së.
”E vetmja gjë që më vjen keq gjithë përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie por jo të vërtetën, atë valle kuq e zi në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobusë të administratës. Fyen, lëndohet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishim ardhur atje, ishin jo vetëm njerëz shqiptarë që mund të kishin një lidhje simpatie me forcën që qeverisë, por edhe njerëz që nuk na kanë votuar ndonjëherë.
Erdhën si shqiptarë si krejt e natyrshme për historinë e shqiptarëve të Greqisë. Është e vetmja gjë për të cilën më vjen keq do mbetet në kujtesë time si një moment i jashtëzakonshëm shqiptar por edhe moment psikologjik kthese jo vetëm në raport të shqiptarëve me Greqinë por edhe me BE-në”, shprehet kryeministri.