Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot pas lajmit për kapjen e një shtetasi që grabiti sendet personale në automjetin e dy turistëve italianë. Balla u shpreh se dy turistët janë kompensuar menjëherë me shumë e tyre, duke vijuar kështu pushimet në Vlorë.

“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë pas marrjes së informacionit që në një automjet në pronësi të dy turistëve italianë ishin vjedhur sende personale dhe një shumë parash, ka organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit”, u shpreh Balla në reagim.

Balla theksoi se, “brenda 24 orëve u bë i mundur arrestimi i autorit, i cili rezultoi të ishte një person me rekorde kriminale, i sapoliruar nga vuajtja e një dënimi të mëparshëm”.

Gjithashtu, shtoi Balla, “drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, falë edhe gatishmërisë së subjektit privat “Vlora Marina” kanë organizuar dhe kompensimin e menjëhershëm të shumës së parave tek dy turistët e huaj, të cilët do vijojnë pushimet e tyre në Vlorë”.

“Do të bëjmë gjithçka që siguria të jetë pasaporta kryesore e pushimeve në Shqipëri, ndërsa ripërsëris mesazhin e fortë ndaj kujtdo se turisti është mik dhe në besën e shqiptarëve, gjatë çdo momenti qëndrimi në Shqipëri”, nënvizoi Balla.

“Policia e Shtetit do t’u garantojë qëndrim të sigurt në Shqipëri çdo pushuesi dhe çdo qytetari”, përfundoi Balla.