Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Kuvendit prezantoi dy projektligjet të diskutuara në komisione parlamentare. Balluku prezantoi marrëveshjen për zgjerimin e bashkëpunimit me Azerbajxhanin në disa sektorë të ndryshëm. “Zhvillimet e fundit politike treguan se roli i Azerbajxhanit është shumë e rëndësishme pasi siguria energjitike I duhet jo vetëm Ballkanit Perëndimor por gjithë Evropës. Zbatimi i suksesshëm I TAP hapi mundësi të tjera bashkëpunimi duke përfshirë mundësi gazifikimit të qyteteve tonë duke nisur nga projekte pilot si ai i Korçës që kemi zgjedhur për të nisur zbatimin e këtij projekti të madh për të vazhduar më pas në Pogradec dhe qytete të tjera. Dimensioni ekonomik konsiderohet si një ndër fushat më kryesore të bashkëpunimit. Me vullnetin e të dy qeverive është vendosur të thellohet dhe të kalojë në sektorë të tjerë. Marrëveshja e re parashikon shtrirjen e bashkëpunimit në turizëm, bujqësi, kulturë dhe arsim ku së fundmi Azerbajxhani ka shkëlqyer në paketat për të rinjtë që studiojnë në vende të tjera dhe më pas kthehen në Azerbajxhan”- tha Balluku. Ndërsa për projektligjin tjetër të diskutuar në komisione, Balluku u shpreh se bëhet fjalë për të pajisur qytetarët me informacionin e nevojshëm për konsumin e energjisë gjatë përditshmërisë.
“Projektligji I dytë, ka kaluar në komisione me mbështetje të plotë. Bëhet fjalë për etiketimin e produkteve me ndikim në energji. Kriza ndërkombëtare energjitike që pllakosi botën dhe u ndje edhe në Shqipëri gjatë 2021-it, bën të domosdoshëm trajtimin me përparësi të disa çështjeve që nuk kanë të bëjnë vetëm me prodhimin e energjisë por edhe me kursimin. I kemi kushtuar vëmendjes së duhur rritjes së kapaciteteve të prodhimit të energjisë përmes diversifikimit të burimeve. E kemi bazuar prodhimin vendas mbi hidrocentralet. Ky projektligj synon të përmirësojë dhe mbrojë qytetarët në blerjen e produkteve me ndikim në energji. Qëllimi është që të vendosë në dispozicion të konsumtatorëve informacionin e nevojshëm për konsumin e energjisë gjatë përditshmërisë për qytetarët por edhe për bizneset”- shtoi zv.kryeministrja.