Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës pa nga afër këtë të diel punimet që po kryhen në kantierin e segmentit Thumanë-Kashar, pjesë e rëndësishme e Korridorit Blu. Balluku tha se tashmë është hapur e gjithë gjurma rrugës dhe se të gjithë qytetarët banesat e të cilëve prekeshin nga projekti janë trajtuar sipas legjislacionit.

“Për 6 shtëpitë e fundit që kishin mbetur, pavarësisht se ishin të palegalizuara banorët po trajtohen me bonus qiraje deri në momentin që bashkia e Vorës do t’i akomodojë në shtëpi sociale. Zhurma e ditëve të fundit ishte përdorim politik”.

Balluku që përshkroi të gjithë aksin e rrugës tha se ajo do të jetë një autostradë sipas të gjitha parametrave europiane dhe do të sjellë lehtësi të konsiderueshme në trafik. Në fund të rrugëtimit, ministrja mori garanci për ta përfunduar edhe këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore brenda 30 qershorit që është edhe afati i përcaktuar.

Thumanë-Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura, 6 mbikalime e 6 nënkalime, si dhe 2 nyje të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet lidhja me aksin Tiranë-Durrës. Aksi ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe aktualisht po shtrohen 3 kilometrat e fundit. Korridori Blu vijon me Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier.