Bashkimi Evropian shprehu të dielën keqardhjen për faktin që presidentja e re e Maqedonisë, Siljanovska-Davkova, nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së saj të betimit.
Nëpërmjet një deklarate të zëdhënësit për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Bashkimi Evropian risjell në vëmendje rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Ceremonia në parlament për betimin e presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska Davkova mblodhi ligjvënësit e të gjitha partive, drejtues të institucioneve më të larta, krerët e komuniteve fetare, si dhe përfaqësuesit diplomatikë.
Zonja Davkova është presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut dhe e gjashta që nga pavarësia në vitin 1991.
Presidentja e re është profesore univeristeti dhe një nga hartueset e kushtetutës së vendit. Gjatë betimit në parlament ajo nuk e përdori referencën “Maqedoni e Veriut” siç është në kushtetutë, por emrin e vjetër “Maqedoni”. Zonja Siljanovska gjatë fjalimit vuri theksin tek roli dhe përfaqësimi i gruas në politikë, duke kritikuar kështu drejtuesit politikë meshkuj të vendit për injorimin e gruas në vendimmarrje dhe konkretisht në përfaqësimin në parlament.
Ajo foli për angazhimin kundrejt sundimit të ligjit, “dhe jo sundimin e disa individëve dhe disa burrave”, siç u shpreh ajo. Ajo tha se “do të jetë presidente edhe e krahut të majtë dhe atij të djathtë në sallën e parlamentit; e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, fetare e gjinore”.
“Do të përpiqem t’i arsyetoj këto mijëra vota të cilat paraqesin zotimin më të madh që kam pasur ndonjëherë në jetë”, deklaroi ajo por pa thënë asnjë fjalë lidhur me synimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Fjalimi i saj ka nxitur reagime në Greqinë fqinje, teksa ambasadorja greke e cila ishte e pranishme në ceremoninë e betimit, u largua në mënyrë demonstrative pasi zonja Siljanovska në minutat e para të marrjes së detyrës shkeli Marrëveshjen e Prespës, duke mos iu referuar vendit të saj me emrin e ri kushtetues. Për këtë arsye, partitë shqiptare të Frontit Evropian e komentuan paraqitjen e saj si shkelje të kushtetutës.
Vetëm ligjvënësit e partisë së saj VMRO-DPMNE e duartrokitën fjalimin. Gordana Siljanovska Davkova fitoi me një rezultat të thellë prej 560 mijë votash në balotazhin e 8 majit. Por, roli i presidentit në Maqedoninë e Veriut është kryesisht ceremonial, ndonëse është komandant i përgjithshëm i ushtrisë; ka të drejtën e vetos së ligjeve, mund t’i falë dënimin të burgosurve dhe luan një rol në politikën e jshtme të vendit./VOA