Chelsea ruan ecurinë pozitive dhe trendin e fitoreve ndaj Brighton, ndërsa triumfoi me rezultatin 1-2 në takimin e prapambetur nga java e 34-ët e Premier League.
Takimi u zhbllokua nga Palmer, që pas asistit të dhuruar nga Cucurella gjeti rrugën drejt rrjetës dhe u dha avantazhin miqve. Goli i dytë i kësaj sfide u shënua nga Nkuku në minutën e 64’, duke vulosur takimin. Me sfidën që ishte me rezultatin 0-2, në minutën e 88’ James u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Chelsea-n në pjesën e mbetur të takimit me 10 lojtarë.
Brighton e shfrytëzoi superioritetin numerik për të gjetur rrugën drejt rrjetës në minutë e 90+8′ me Welbeck, megjithatë në fund ndeshja u mbyll me rezultatin 1-2. Pas kësaj sfide Brighton renditet në vend të 10-të me 48 pikë, teksa Chelsea në vend të gjashtë me 60 pikë, duke u ngjitur momentalisht në zonën europiane.
Ndërkohë Manchester United fiton 3-2 përballë Newcastle. Ishte Mainoo ai i cili zhbllokoi takimin, duke u dhënë avantazhin vendasve me golin e realizuar në minutën e 31’ dhe bëri që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 1-0. Fraksioni i dytë rezultoi më intensiv, me Gordon që barazoi për miqtë në minutën e 49’. Megjithatë në minutën e 57’ Diallo riktheu avantazhin te “Djajtë e Kuq”. Goli i sigurisë për ekipin e Erik ten Hag u realizua nga Hojlund në minutën e 84’, por miqtë nuk u ndalën deri në fund, pasi në minutën e 90+2’ Hall realizoi golin e dytë për Newcastle. Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 3-2, me Manchester United që momentalisht renditet në vend të tetë me 57 pikë, po aq sa Newcastle që mban vendin e shtatë.