Policia e Tiranës tregon detajet rreth dhunimit të avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjësi. Sipas bluve, ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar kanë goditur avokatin, duke i shkaktuar dëmtime.

Për pasojë ai është transportuar në spital, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se 3 veta dyshohet të kenë marrë pjesë në sulmin ndaj Mëngjesit.

“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, sqaron policia.