Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot, në Ditën Botërore të Bletëve, kopshtin “Dielli” në kryeqytet, ku zhvilluan edhe një bashkëbisedim me fëmijët dhe edukatoret e kopshtit. Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh i lumtur për transformimin e të gjitha institucioneve arsimore të Tiranës në tetë vitet e fundit, duke nënvizuar faktin se bashkia subvencionon në raportin 7 me 1 koston e kopshteve dhe çerdheve.

“Gjatë këtyre 8 viteve ne kemi transformuar 101 kopshte dhe çerdhe në Tiranë. Ushqimi gatuhet i freskët çdo ditë, po ashtu kemi futur konceptin e Reggio Emilia-s, pra të mësuarit duke luajtur me mjete rrethanore dhe produkte të ricikluara, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat që kemi liruar nga fushata e parë e lirimit të hapësirave të kopshteve dhe çerdheve, për t’i kthyer në kënde lojërash dhe kënde mësimore. Sot jemi në një situatë ku bashkia subvencionon 7 me 1 pagesën e kopshteve dhe çerdheve.

Sigurisht, ia vlen kur mendon se prindërit lirohen që të punojnë, të jenë produktivë, të fitojnë të ardhura, duke i pasur fëmijët në një mjedis të sigurt, në një situatë ku, sot kopshtet dhe çerdhet e Tiranës kanë marrë një vlerësim maksimal edhe në shkallë rajoni.