“Garnizoni i molotovit” i quan gazetari Denis Dyrnjaja grupin e militantëve të Rithemelimit dhe PL që mblidhen çdo të martë para Bashkisë së Tiranës. I ftuar në Report Tv, ndërsa e cilësoi aksionin politik të opozitës si të dështuar dhe qesharak, Dyrnjaja tha se protesta nuk po prodhon asgjë.
“Opozita është shterpë në mekanizmat dhe kreativitetin e saj politik. Kini parasysh se çdo javë, garnizoni prej 50 vetash i opozitës, garnizoni i molotovit e kam quajtur unë – biles propozoj që dita e martë të quhet si dita e molotovit – është e tëra qesharake; ata e ekspozojnë veten gabimisht me këtë aksion politik dhe nuk e kuptoj sesi nuk e kuptojnë se kjo nuk prodhon asgjë. Është njësoj si të saldosh ujë, nuk ngjit. Kjo histori nuk ngjit, u tha çdo gjë për inceneratorët, ky proces ka shkuar tani në kalendat e drejtësisë, drejtësia po heton. Derisa ti je përplasur dhe i ke çuar faktet te ky SPAK-u që ti anatemon, ose mos i ço dokumentet dhe vazhdo një luftë politike publike me protesta, e cila dukshëm nuk mbështetet nga populli”, tha Dyrnjaja.
Në sheshin Skënderbej, gazetari tha se ka më shumë turistë të huaj sesa protestues, që ai i përshkruan si një grup i armatosur që sulmojnë një institucion. “Nuk mbështetet nga populli sepse më shumë ka turistë në sheshin Skënderbej se sa protestues. Kam përshtypjen që edhe ata habiten, thonë qenkan mbledhur 50 veta, që duken si grup i armatosur, që po sulmojnë një institucion. Shoh turistë nga e gjithë bota në sheshin Skënderbej që vijnë të vizitojnë Tiranën, të cilët shohin 50 veta që hedhin molotov, cila është domethënia këtu? Nëse çështja ka shkuar para drejtësisë, të presim drejtësinë se çfarë do thotë, jo vetëm për këtë çështje, por për të gjitha çështjet që po hetohen”, shtoi ai.
Sipas gazetarit, Veliaj nuk rrëzohet sikur kjo protestë të vazhdojë edhe për 5 vite me radhë. “Nuk ka prodhuar kurrë rezultat politik dhuna, duhet të gjesh mënyrë tjetër. Nuk e heqin dot Erion Veliajn jo një të martë, por edhe 50 të marta dhe 5 vite me radhë të shkojnë të protestojnë aty. Është kot”, deklaroi më tej gazetari.