Një ngjarje e pazakontë raportohet të ketë ndodhur në Itali, ku protagonist është sërish një shqiptar. Shqiptari, identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije, mësohet se ka urinuar në një kazino teksa ishte duke luajtur lojëra fati. Mësohet se 42-vjeçari pasi humbi në lojë filloi fillimisht të bërtiste dhe të shkatqrronte pajisjet dhe mobiljet dhe më pas urinoi në njërën prej tyre.
Sipas mediave vendase ky veprim ka shkaktuar një dëm të llogaritur prej rreth 50 mijë euro. Fill pas ngjarjes shqiptari është arratisur, por pas disa orësh kërkime nga policia është lokalizuar dhe është vënë në pranga. Edhe në komisariat shqiptari ka shfaqur veprime të dhunshme pasi ka goditur efektivin e policisë dhe e ka pështyrë në fytyrë. Ai njihej si person i rrezikshëm në zonë, ndërsa mësohet se kishte dhe precedentë të mëparshëm penal. Ai gjithashtu ka kërcënuar me jetë punonjësit e policisë.
“Do t’ua tregoj unë, do t’ju vras. Sapo të dal nga këtu do të bëj të ma paguani duke ju vrarë”, u tha ai agjentëve të pranishëm aty. Për shkak të ngjarjes, policia ka vijuar me procedurat për heqjen e lejes së tij të qëndrimit.