Hetimet e fundi të SPAK kanë zbardhur edhe ngjarje të tjera kriminale, veç atentatit të ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” në Tiranë, në pronësi të Luan Matës.
Në ngjarjen e ndodhur më datë 30 maj 2020, në orën 22:35, i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.
Hoteli është në pronësi të Luan Matës, babai të të akuzuarit Ervin Mata, i shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë dhe planifikonte vrasje, ku u arrestua dhe ish zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani.
Nga shpërthimi i eksplozivit më 30 maj nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Kujtojmë se ish-anëtari i bandës së Durrësit, Julian Meçaj, është arrestuar në shkurt të këtij viti në Dubai.
Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj akuzohen bashkë me tre të tjerë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i cili u shpëtoi plumbave, por mbeti i vdekur shoferi i tij Andi Maloku.