Për të pritur fluksin e madh të tifozëve gjatë kampionatit Europian, Gjermania po mendon edhe për transportin publik. Rreth 900 persona më shumë do të punësohen nga operatori kryesor hekurudhor i Gjermanisë, për të rritur forcat e sigurisë në stacione dhe trena gjatë ngjarjes më madhore të futbollit kontinental. Siç njofton kompania, grupi i personelit të sigurisë do të zgjerohet me afërsisht 20%.
Operatori hekurudhor shpjegon se forcat e sigurisë do të jenë operacionale kryesisht në dhjetë stacionet hekurudhore të pranishme në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet dhe në trenat përkatës që do të qarkullojnë mes tyre.
Siguria e punonjësve dhe pasagjerëve është prioriteti kryesor kështu që sipas kompanisë, rreth 6,000 oficerë të policisë federale dhe 4,500 roje sigurie janë aktualisht në detyrë gjatë gjithë kohës për të mbrojtur pasagjerët dhe punonjësit e hekurudhave.
Me rastin e Kampionatit Europian, hekurudhat gjermane presin dhjetëra mijëra udhëtarë shtesë në trena që do të lëvizin në qytetet e ndeshjeve. Euro2024 do të mbahet në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik.
Kombëtarja shqiptare merr pjesë për herë të dytë në një kompeticion të këtij niveli, teksa është shortuar në grup me kombëtare si Italia, Spanja dhe Kroacia.