Italia ishte kombëtarja e radhës nga grupi B, ku gjendet edhe Shqipëria, që zbuloi listën paraprake të Euro2024. Mes 30 të grumbulluarve, vihen re ndryshime të shumta nga ajo e tre viteve më pare, ku Axurrët u kurorëzuan kampion të Kontinentit. Vetëm 10 futbollistë nga ajo listë e Roberto Mancini kanë fituar simpatinë edhe të Luciano Spalletit, që tashmë ka një punë të vështirë, për të gjymtuar akoma dhe më shumë skuadrën provizore.
Surpriza e madhe ishte lënia jashtë e Manuele Locatelli, por edhe ajo e Imobile, që duket se tashmë ka ndarë edhe rrugët me kombëtaren italiane. Një tjetër fakt interesant është që baza e kombëtares aktivizohen në kampionatin vendas. Vetëm tre prej tyre nuk luajnë në Serie A, teksa 6 futbollistë i përkasin skuadrës kampione të këtij sezoni në elitën e futbollit italian, Interit.
Italia, e cila shkon në Gjermani nën petkun e kampionëve në fuqi të kontinentit bën debutimin në Euro2024 kundër Shqipërisë më 15 qershor. Kombëtarja Axurre synon të përsërisë suksesin e Spanjës për të fituar dy kompeticione Europiane radhazi, teksa si rival të grupit ka kombëtaren iberike dhe Kroacinë.