Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken e cilësoi thellësisht të gabuar kërkesën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të lëshuar fletë-arreste në emër të Benjamin Netanyahut e zyrtarëve të tjerë izraelitë, krahas tre liderëve të Hamasit.
Duke folur në një seancë të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, shefi i diplomacisë amerikane tregoi se Washingtoni nuk ka ndërmend të qëndrojë duarkryq, por të hidhet në veprim, duke penalizuar vetë personat që e hodhën këtë hap.
“Administrata e Presidentit Biden është e gatshme të punojë me Kongresin për sanksione të mundshme kundër zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale lidhur me kërkesën e prokurorit të saj për urdhër-arreste ndaj udhëheqësve izraelitë për luftën në Gazë. Kjo lëvizje e gjykatës do të ndërlikonte perspektivat e arritjes së një marrëveshjeje për pengjet dhe një armëpushim në konfliktin e Izraelit me grupin militant palestinez Hamas”, tha Blinken. Një grup protestuesish pro-palestinezë e ndërprenë fjalën e tij gjatë seancës në senat, e njëri thirri “kasapi i Gazës” përpara se rojet e sigurisë ta largonin, ndërsa Blinkeni vetë ruajti qetësinë përgjatë të gjithë incidentit.
Në një seancë të një komisioni tjetër të Senatit, senatori republikan Lindsey Graham i tha Blinkenit se dëshironte që Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione ndaj gjykatës në përgjigje të masës së shpallur nga prokurori i GJNK-së Karim Khan. “Unë dua të ndërmarrim veprime, jo vetëm fjalë,” u shpreh senatori Graham. Karim Khan deklaroi dy ditë më parë se kishte baza të arsyeshme për të besuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, Sekretari i Mbrojtjes i Izraelit dhe tre udhëheqës të Hamasit “mbajnë përgjegjësi penale” për krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Por si Presidenti demokrat Biden ashtu edhe kundërshtarët e tij politikë kanë kritikuar ashpër njoftimin e prokurorit Khan, duke argumentuar se gjykata nuk ka juridiksion mbi konfliktin e Gazës dhe duke ngritur shqetësime mbi procesin.