Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit të PS dhe kabinetit qeveritar, foli për Shqipërinë e kohës kur erdhi në pushtet dhe ajo që është në ditët e sotme. Kreu i qeverisë thotë se vendi ishte në pikën më të ulët pas 1997-ës, ku rendi publik ishte përtokë dhe ryshfeti ishte ulur “këmbëkryq” në vend.

Rama thotë spitalet nuk kishin ilaçe ndërsa qendrat shëndetësore ishin disa godina të braktisura. Shkollat, thotë ai, ishin si autobusë unaze, ndërsa punësimet bëhen vetëm mik dhe me lekë. Kreu i qeverisë përmendi edhe kryeministrinë, që sipas të cilit, ishte kthyer si një godinë sherifësh.

“Kur shqiptarët na votuan masivisht për mandatin e parë, Shqipëria është në pikën më të ulët pas vitit të zi 1997. Rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lloj me shtetin, vjedhjet dhe shpifjet ishin pjesë e përditshmërisë dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan ishte siguri, siguri, siguri.

Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo kontakt të qytetarit me shtetin, në çdo sportel dhe udhëkryq trafiku qytetarët mbanin radhë të gjata duke dhënë ryshfet edhe për një certifikatë lindjeje apo për të kaluar policin e radhës. Në çdo ndërveprim me biznesin dhe shtetit, ryshfeti ishte i treti i vërteti qoftë kur shteti shfaqej në derën e shitësit të bylmetit për një kontroll qoftë biznesi shfaqej në derën e shtetit për një prokurim publik. Spitalet nuk kishin ilaçe por vetëm receta për pacientët që t’i blinin ato.

Familjarët vinin me çarçafë dhe batanije nga shpia në krah. Qendrat shëndetësore ishin si godina të braktisura pas ikjes së një ushtrie pushtuese. Edhe kur e gjeje rrallë një infermier në një karrige, nuk gjeje një karrige tjetër dhe lërë pastaj një shtrat apo mjete për një shërbim minimal. Hyrja në universitete ishte si në dyert e autobusët e unazës në vitet ’90. Punësimet në çdo institucion, komisariat policie apo ambulancë dhe shkollë bëheshin me urdhër partie dhe ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që nuk kishin partie, vetëm me lekë.

Prokuroritë dhe gjykatat ishin pazare të gjësë së gjallë ku shihte rrushi rrushin dhe piqej teksa më i dobëti gjithmonë digjej. Prokurorët e gjykatësit me integritet jetonin me rrethimin e llumit të mbuluar me toka të zeza dhe të fryrë nga zullumi i ryshfeteve të majme. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin dhe merrnin favore të paligjshme fare të trazuar nga veshi shurdh i ligjit duke bërë katandi mbi kurrizin e popullit. Protestat ishin vetëm punë e PS, askush nuk guxonte të protestonte kundër qeverisë pa një flamur partie si mburojë. Kush e provonte ndryshe, merrte shkopin e policit kokës edhe po të ishte në karroce invalidi.

Kryeministria ishte kthyer në formë dhe përmbajtje si godinat e sherifëve në provincat e Amerikës së viteve ’30, rrethuar me një gardë të ndryshkur hekuri, e nxirë nga pastërtia e mbledhur, e mbuluar nga zymtia e forcës dhe e zhveshur nga çdo forcë shembulli. Protestuesit e vrarë me pushkët e shtetit trajtoheshin nga i pari i qeverisë si kriminel, që kishin marrë thjesht dënimin e merituar. ndërsa për drejtësinë e vrasjet e lemeritshme shtetërore ishin gabime teknike.”, tha Rama.