Nëse jeni një shtetas amerikan dhe ëndërroni të jetoni jashtë vendit, shanset janë që në mendje t’ju vijnë destinacione të njohura si, Londra, Parisi apo ndonjë ishull tropikal me ujëra të pastër blu, sipas një artikulli të botuar në “MSN”.

Problemi është se kostoja e jetesës në këto destinacione, nuk është më e lirë se sa në SHBA. Në disa raste, është më e shtrenjtë se të jetosh në Amerikë.

“GOBankingRates” kontaktoi me disa ekspertë udhëtimesh, të cilët renditën destinacionet e tyre kryesore jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këto “thesare sekrete” nuk do të ndikojnë në llogarinë tuaj të kursimeve nëse planifikoni të zhvendoseni atje.

Shqipëria është renditur mes tetë vendeve të përballueshme për të jetuar, duke u bazuar në koston e vlerësuar mujore të jetesës (COL).

Tiranë, Shqipëri (Kostoja e vlerësuar mujore e jetesës: 1,188 dollarë)

Shqipëria – e konsideruar një “perlë e fshehur e Evropës” – është ndër vendet e para që i vjen në mendje Mercedes Zach, një ekspert udhëtimesh në Rrjetin Ndërkombëtar të Udhëtimeve “ASAP Tickets”, kur bëhet fjalë për vendndodhjet ‘jashtë radarit’.

“Ky vend ballkanik të josh me peizazhet e tij mahnitëse malore, kështjellat antike spektakolare dhe plazhet piktoreske që mund të konkurrojnë lehtësisht me Mesdheun apo edhe Maldivet pa turmat e turistëve”, tha Zach.

“Gjithashtu, është shumë më lirë në krahasim me SHBA-në dhe pjesën tjetër të Evropës”, shtoi ai.

Për sa i përket kostos së jetesës, Zach tha se Shqipëria është mbi 50% më e lirë se SHBA-ja dhe qytetet e saj kryesore, ndërsa çmimet e konsumit duke përfshirë qiranë janë 54,7% më të ulëta.

Shqipëria renditet në vendin e 111-të kundrejt SHBA-së në vendin e 7-të në listën e vendeve më të shtrenjta në botë.