“Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimet në pronat e paluajtshme, mbetet mënyra kryesor për pastrimin e parave në Shqipëri”, tha pak ditë më parë para deputetëve kreu i SPAK Altin Dumani.
Vjet numri i procedimeve të regjistruara për pastrim parash sipas SPAK është rritur me 75% në krahasim më vitin 2022.
Këto hetime të drejtësisë që kanë zbuluar një sërë skemash mashtrimi, evazioni apo abuzimi në disa sektorë, po ndikojnë edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, duke sjellë një stanjacion në çmimet e apartamenteve, e duke ulur dozën e spekulimeve në treg.
“Hetimet, patjetër që ndikojnë dhe sa mirë që po ndodhin këto procese. Të ndahen një herë e mirë, të gjitha problematikat e mbartura ndër vite. Kemi ndërtues që nuk i kanë pajisur blerësit me certifikata pronësie, kemi ndërtues që kanë devijuar nga projektet, që i kanë lënë ndërtimet në mes në mënyrë skandaloze, dikush duhet të mbaj përgjegjësi për këtë punë”, thotë agjenti imobiliar.
Banka e Shqipërisë thotë se 64% e agjentëve imobiliare që janë pyetur për pritshmëritë për vitin 2024 parashikojnë që çmimet të jenë të qëndrueshme, 34% pohojnë se do të rritën dhe 2% presin ulje.
“Çmimet e apartamenteve në këtë periudhë janë në pikë të qëndrueshme, s’ka rritje, por nuk mund të flitet për ulje sepse rënia e euros e pamundëson një ulje të çmimeve”, thotë agjenti imobiliar.
Orgest Beti, pohon se zhvlerësimi i euros është faktor që po ndikon që çmimet të mos ulen, për shkak se shpenzimet e ndërtuesve për lëndë të parë e jo vetëm në fillim të ndërtimit janë me euro shumë më të fortë.
Faktorë që po i mban çmimet e larta është edhe kërkesa e lartë për prona.
“E kemi shumë të rëndësishëm raportin me pronën. Është kulturë që ta kemi një shtëpi, edhe shqiptarët e Kosovës, vitet e fundit e shikojnë Shqipërinë si mundësi të mirë banimi por edhe investimi, kryesisht në bregdet nga Durrësi në Ksamil. Prona është më e sigurta nga gjithë të tjerat për shkak të zhvillimit që Shqipëria ka”, pohon ai.
Por, impakt të madh po japin edhe shtetasit e huaj, që blejnë pa negociuar çmimin.
“Duke parë kërkesën e lartë, ndërtuesit dhe shitësit e apartamenteve kanë preferuar që mos ti ulin çmimet. Të huajt çmimet që ka Shqipëria i konsiderojnë të pranueshme, dhe kemi një rritje progresive të çmimit. Të huajt vijnë si vizitorë në fillim, dhe rikthehen si investitor”, thotë eksperti.
Banka e Shqipërisë thotë se afro 26% e pronave të shitura vjet u blenë nga të huajt, kryesisht nga vendet e BE.