Një 42-vjeçare shqiptare është arrestuar nga carabinerët në Itali pasi ka tentuar të vrasë dy fqinjet e saj.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e Pavias. Mediat italiane shkruajnë se gruaja ka shkuar në shtëpinë e fqinjës së saj të moshuar të mërkurën rreth orës 18:30.

Më pas ajo ka goditur me thikë kuzhine nënë e bijë, 90 dhe 62 vjeç. Dy të fundit ndodhen në spitalin e San Matteo në gjendje kritike për jetën. Ato kanë marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas banorëve të lagjes, 3 gratë nuk kanë pasur debate apo mosmarrëveshje më herët.

“Ajo mund të vuajë nga ndonjë sëmundje, ose është përdoruese droge. S’ka pasur arsye, ka luajtur mendsh!”, shprehen për shqiptaren.

Paraprakisht dyshohet se autorja vuan nga probleme të shëndetit mendor, pasi po i nënshtrohet të gjitha ekzaminimeve në repartin e psikiatrisë.