Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka ndjekur nga afër procesin e dezinsektimit në plazhin e Orikumit, një prej zonave të përfshira në këtë proces në Qarkun e Vlorës.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu deklaroi se me Vlorën përmbyllet i gjithë procesi i fazës së parë në zonat turistike në të gjitha Qarqet në vend në kuadër të Programit Kombëtar të Dezinsektimit për vitin 2024 me qëllim sigurimin e një mjedisi sa më të pastër e të qetë për pushuesit dhe turistët.

“Me qarkun e Vlorës e përmbyllim fazën e parë të procesit të dezinsektimit. Ky nuk është një proces që fillon dhe mbaron brenda ditës. Është një proces që do të vijojmë përgjatë gjithë sezonit turistik dhe do ta shtrijmë deri në fund të shtatorit, fillim të tetorit”, u shpreh ajo.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se “ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik do të kthen këtu pas 48 orësh për të parë nëse procesi ka qënë efektiv apo jo dhe sa është shpeshtësia për ta ripërsëritur të njëjtën procedurë”.

Procesi do të vijojë me studimin entomologjik rast pas rasti nga ekspertët e shëndetit publik për të evidentuar edhe efektivitetin e dezinsektimit të kryer në të gjitha zonat turistike, laguna dhe parqe.