Nga Ben Andoni
Pse mbeten ende sot në radhën e parë të drejtimit të opozitës Berisha (në aspektin moral dhe politik), Basha (politik), Meta (politik)?! Pse nuk trandin dot alternativat dhe narrativat e tyre? Pse artikulohet pa asnjë mëdyshje ardhja e të bijës së z. Berisha, Malltezi në krye të PD-së dhe heshtet nga opozita, qoftë dhe për lajmin? Pse nuk lëvizin nga posti krerët e partive të tjera të vogla dhe pas disfatave pafund? Një mal me pyetje. A janë vallë në mirëkuptimin e heshtur me PS-në apo kanë në dorë gjithçka, që u duhet? Në një vëzhgim të parë, janë të velur me pushtet. Edhe pse, kanë treguar se edhe mund të bëjnë e të mbajnë pushtet, sipas mënyrës së tyre. Kanë qenë protagonistë, Berisha dhe Meta (si presidentë dhe kryeministra), madje ky i fundit ka drejtuar në koalicion të dy krahëve. Pse nuk e shqetësojnë dot më Edi Ramën nga pushteti, që ka filluar tashmë me përsiatjet metafizike? A kanë dështuar vallë, qoftë edhe me këtë pushtet? Pse korrupsioni ynë nuk njeh fre dhe është kaq me bazë të shtrirë?!
Në fakt, dështimet e lidërshipit të së ashtuquajturës elitë opozitare lidhen me faktin se nuk mund të thuhet se kemi përballë individë të paaftë, por duket se kalcifikimi i pak emrave na përball problemin e krijimit dhe mbajtjes së një sistemi, që e lejon pushtetin dhe korrupsionin në emër të flirtit për interesat vetjake të një rrethi fare të ngushtë. Dihet mirë se pasuritë e të gjithë politikanëve nga Familjet Berisha, Meta, Rama, Basha, që artikulohen në media, nuk bëhen dot në udhë normale. Dikur në mënyrë cinike, bashkëshortja e z. Meta tregonte edhe banjën e maces, në një nga rezidencat e saj.
Ajo që kupton një ndjekës i ngjarjeve politike është se: ushqehen prej strukturave dhe institucioneve, që i fuqizojnë dhe i mbajnë ato pak klane. Ndërkohë, më keq akoma për Shqipërinë është përqendrimi i pushtetit në duart e pak njerëzve, që ka çuar në shkëputjen midis këtyre elitave (mund të quhen dhe familje) dhe nevojave të shoqërisë më të gjerë. Aristokracia e opozitës, pasi kështu u pëlqen të trajtohen, është shumë larg nevojave dhe interesave të popullit opozitar. Vërtetë se ata kontrollojnë strukturat e tyre, atje ku bëhen zgjedhjet e forumeve, por të lartpërmendurit janë krejt të izoluar nga kritikat e vërteta, nga realitetet dhe betejat e përditshme me të cilat përballet popullata e gjerë. Veçse pushteti i pamatë ekonomik-politik dhe moral (nënkupto: i llojit të tyre) i bën të paprekshëm, deri sa edhe procesi i tyre i vendimmarrjes ndikohet kryesisht nga interesi vetjak dhe jo nga e mira më e madhe. Lëvizjet e familjes Berisha dhe transformimi i Partisë së Lirisë nga Meta janë provat më të dukshme. Kjo shkëputje ka nxitur një ndarje në rritje midis disa pak të privilegjuarve dhe pjesës tjetër të shoqërisë, duke penguar përparimin, që kërkojnë të gjithë shqiptarët dhe duke përkeqësuar pabarazitë shoqërore qoftë dhe brenda formacioneve të tyre. Reagimi i vërtetë: tkurrja e madhe e mbështetësve dhe apatia e militantëve.
Mbajtja e pushtetit, siç po ndodh me Berishën dhe me Metën, është bërë më shumë se një qëllim në vetvete për këtë lloj elite, duke lënë në hije qoftë edhe parimet dhe vlerat që ata pretendojnë se mbrojnë dhe i shesin si alternativa. Ndaj, u kthye aq butaforik aktiviteti i Partisë së Lirisë dhe janë shpesh afër groteskut aktivitetet e PD-së së dy krahëve. (Javanews)