Shqiptarët kanë filluar të përdorin edhe portet greke për të sjellë kokainën nga Amerika Latine në Europë, ndërsa më herët përdoreshin ato të Holandës, Belgjikës dhe Spanjës.
Kapja e një 210 kg kokainë gjatë ditës së djeshme në portin e Pireut konfirmoi se edhe Greqia është kthyer në një portë të rendësishme të futjes së kokainës nga Amerika Latine në Europë.

Kontejneri ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador dhe destinacion final kishte Shqipërinë. Katër persona, 2 shqiptarë dhe 2 grekë, u arrestuan gjatë aksionit policor.
Droga u gjet e ndarë në dy kontejnerë mes karkalecave të detit, në një bazament të dyfishtë.

Duhet theksuar se DEA amerikane ka një degë të organizuar në Greqi, e cila merret specifikisht me kokainën që futet nga vende se Ekuadori apo Kolumbia, përmes porteve greke në Europë.
Operacioni
Mësohet se agjentët e DEA-s dhe policisë greke kanë patur një të infiltruar në grupin e trafikantëve, i cili ka dhënë informacion në lidhje me lëvizjet e drogës si edhe organzimin e tyre.
I infiltruari ka orientuar grupin duke i thënë se ai kishte njohje dhe do ta nxirrte kokainën nga porti i Pireut, por ndërkohë që trafikantët e tjerë kanë mbërritur aty, janë përballur me forca të shumta policie dhe agjentë të DEA-s.
Mes të arrestuarve janë edhe shqiptarët Andrea Mërkuri dhe Marsel Stafa, krahas dy grekëve. Droga ishte e ndarë në pako 1 kilogram, të cilat kishin stampime të ndryshme, duke treguar se ishte e destinuar për disa grupe kriminale.