Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sjellë në vëmendje sot një “letër garancie” që ai së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca ua paraqitën ndërkombëtarëve ku përfshihej edhe zotimi për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicsë serbe pas anëtarësimit të vendit në Këshillin e Europës.
Por theksoi se qeveria e tij nuk do të pranojë si kusht themelimin e Asociacionit në këmbim të anëtarësimit në KiE dhe shtoi se askush nuk mund t’i kërkojë Kosovës më shumë sesa kaq.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg. Më datë 22 mars, sivjet, pra 2024, kur po shënonim 3-vjetorin e zgjedhjes së qeverisë sonë, bashkë me presidenten e Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe unë si kryeministër, pra tre krerë institucionesh të shtetit të nivelit më të lartë dhamë një letër garantuese me zotimet tona për të ardhmen pas anëtarësimit, tamam siç na u kërkua”, tha Kurti.
Sa takon kërkesave nga Franca dhe Gjermania që Kosova të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit pak kohë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha dritën jeshile për anëtarësim në KiE, Kurti i cilësoi ato si absurde.
“Ne dëgjuam se ka kryeqytete që tash po e kushtëzojnë finalizimin e procesit të anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në gjykatën Kushtetuese të Kosovës…Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dokumente të cilat nuk i ka pranuar dhe të cilat nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, u shpreh kryeministri i Kosovës.