Nga Mero Baze/
Të paktën 45 urdhra arresti të bëra publike sot zyrtarësh dhe të tjera në pritje, mbulojnë gjithë gjeografinë e krimit në Shqipëri. Në listë është thuajse çdokush që i ka dalë emri një herë për lidhje me krimin në Shqipëri, që nga të fortët e paprekshëm, deri tek të fortët me lidhje politike apo klane lokale kriminale.
Ky është ndoshta operacioni më i madh antikrim në Shqipëri në këto tredhjetë vjet, po të llogarisësh peshën e emrave të krimit që janë shpallur në kërkim, ku Policia e Shtetit ka meritën e saj.
Të gjitha urdhër arrestet janë lëshuar nga SPAK, dhe duket se kanë pas zbardhjen e disa historive kriminale në vend.
Në të njëjtën kohë, në dyert e SPAK shkojnë përditë ministra, kryetarë bashkie dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, në kuadrin e hetimeve për korrupsion, duke krijuar një klimë lufte si ndaj krimit, ashtu dhe ndaj korrupsionit.
Kjo ka bërë që SPAK të jetë një institucion popullor dhe i besueshëm në Shqipëri.
Por nga ana tjetër ka dhe një thirrje për luftë ndaj SPAK dhe “kriminelit” Altin Dumani. Për herë të fundit dje nën penxheren e Sali Berishës, përfaqësuesja më e zjarrtë e partisë së tij, u bëri thirrje politikanëve të opozitës dhe veçmas Gazment Bardhit, ta ndajnë mendjen a janë me SPAK dhe “kriminelin” Altin Dumani, apo me Sali Berishën.
Dhe natyrisht turma ishte me Sali Berishën. Ky është dhe i vetmi ishull në politikën dhe shoqërinë shqiptare që është në betejë të hapur me SPAK, për shkak të Sali Berishës.
E bëra gjithë këtë panoramë, për të kuptuar se sa i parëndësishëm është shteti dhe ligji për Sali Berishën, dhe pse ai është antishtetari më i madh i historisë sonë.
Përfytyrojeni atë në pushtet dhe të guxojë SPAK apo drejtësia ta prekë, se çfarë bën ai. Tani është në majë të penxheres dhe përpiqet të kthehet në zëdhënës të gjithë viktimave të SPAK, që janë në shumicë kapot e krimit në Shqipëri dhe zyrtarë të lartë të korruptuar nga shumica në pushtet.
Vetëm se SPAK ka vendosur atë nën hetim dhe rrezikon burgun, ai është gati t’i vërë shkelmin drejtësisë, duke njehësuar veten me drejtësinë dhe shtetin.
Për atë nuk ka rëndësi se SPAK çon në qeli gjithë kriminelët e Shqipërisë, se çon për hetime më shumë se gjysmën e qeverise dhe kryebashkiakët, se bën betejë që shoqëria jonë ta fitojë betejën me paligjshmërinë. Ai ka devizën “shteti jam unë”, “drejtësia jam unë” dhe kushdo që prek atë, e shpall armik.
Do mjaftonte vetëm kjo për të kuptuar përse duhet ndëshkuar Sali Berisha. Jo vetëm si hajdut, jo vetëm si vrasës, jo vetëm si pengmarrës i opozitës, por mbi të gjitha si antishtetari më i madh i historisë së këtij vendi.