Ministri për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, foli në një konferencë sa i përket negociatave të Shqipërisë me BE-
Ai i quajti tymnajë deklaratat se mbyllja e kapitujve të anëtarësimit ka ngecur në Bruksel, duke shtuar se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në këto negociata.
“Kohët e fundit, javët e fundit kemi parë këndvështrime, deklarata, analiza, hamendësime, ato që do i quaja një tymnajë që është ushqyer nga diskursi i brendshëm. Ajo që është fakt, dhe jo vetëm sepse e themi ne, por sepse e konfirmojnë institucionet europiane dhe vendet anëtare, është se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm, shembullor në avancimin e negociatave duke vijuar punën për përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë bashkarisht me KE-në, që janë diskutuara nga vendet anëtare dhe që janë absolutisht përmbajtja e asaj që ne quajmë procesi negociues. Edhe në daljet publike, në angazhimin publik që kemi zhvilluar bashkë me disa kolegë në qeveri, për të diskutuar me rininë, me studentët, dhe kjo nuk është një shëtitje rruge, siç thuhet, por është të shkosh atje ku formohet brezi i ri, të shkojmë atje ku po formohen ata që duhet të jenë të parët ta shijojnë jetën e tyre profesionale si anëtarë dhe qytetarë të BE-së. Po mundohemi të theksojmë disa gjëra shumë të thjeshta, por përmbajtësore. Integrimi nuk është vetëm proces teknik, proces letrash, raportesh, procese email-esh, përgjigjesh, pyetjesh, por është një proces transformimi që ndodh në vend. E kam theksuar dhe kam dëshirë ta theksoj përsëri, vendimet bëhen në Bruksel, takimet bëhen në Bruksel, reformat merren këtu, impakti është këtu dhe do të mbesë këtu.⁷










