“Jeta është e jotja, vajza dhe gra ngrini zërin në çdo kohë”, ky ishte mesazhi i gazetares Rudina Xhunga pasi rrëfeu historinë që i ka ndodhur rreth moshës 15-vjeçare teksa udhëtonte me autobus të linjës në Tiranë.
Sharje dhe ofendime do të ketë kudo dhe kurdo thotë gazetarja, por e rëndësishme është që vajzat tashmë e kanë gjetur zërin dhe dinë të thonë: “Trupi është i imi, dhe ti nuk mund të më prekësh”.
“Tregimin sot po e xhiroj në autobusin e Tiranës së Re. Unë tregova një histori timen që më ka ndodhur kur një maniak nga ata të zakonshmit në autobus më preku. Kjo gjë nxiti rrjetin, të më sulmojë. Vura re që ishin shumë burra që shanin dhe gra që nuk e pranonin këtë të sharë. Burrat shkruanin që po gënjeja, por në fakt unë jo vetëm që nuk u mërzita, por erdha në autobus për ta thënë dhe vizualisht.
Po, nëse dikush të prek në autobus, në punë, pa dëshirën tënde, ti duhet të ngresh zërin dhe të flasësh. Pune e madhe se thonë, pusho, hesht! Ti fol! Nuk është e vërtetë që tani nuk ndodhin më ngacmimet perverse?! Si ka mundësi që ndodhnin vetëm dikur? Unë flas, më shajnë, më fyejnë dhe më bëjnë që të tërhiqem nga ajo që kam thënë. Domethënë që ata janë sërish, ata që dikur të preknin në autobus, tani të prekin në rrjetet sociale. Dikur të preknin në autobus dhe mendonin se nuk do flisje, ose që është natyrale të të preknin. Tani vazhdojnë dhe thonë që një grua nuk duhet të flasë.
Po, një grua flet dhe të tregon se ju burra të atyre kohërave ishit të rrallë që e bënit atë gjë. Në asnjë autobus të botës normale, nuk kishte burra që preknin gra. Ndonjëherë të mungon fjala për të shprehur indinjatën, tmerrin që po jetonin, por tani e kemi dhe themi: “Ajo që bëtë është e turpshme!”.
Maniakët janë të njëjtë, duan vetëm të të dhunojnë, poshtërojnë, të të prekin, prandaj mos mendoni se ka mbaruar. Gjejeni zërin dhe flisni, kur ju prekin dhe lëndojnë! Jo vetëm në mish, por edhe në zemër, shpirt, flisni kudo. Gjejeni mundësinë, pasi ata janë frikacakë veç e veç, bashkë në turmë bëjnë trimin dhe në rrjetet sociale të fyejnë. Vajza gjejeni zërin dhe flisni në çdo kohë. Jo vetëm vajza por dhe gra, jeta është e jotja dhe kur je 15 vjeçe, 20 apo 100 vjeçe. Gjejeni fjalën për të thënë se trupi, jeta është imja, ti nuk mund të më prekësh, të më lëndosh, në rrjetet sociale apo autobus.
Thuaj: “Unë vendos për veten time!”.
Vajza, ecni përpara, jepini fjalë, zë, fuqisë suaj!”, shprehet gazetarja në Tregimin e Ditës, DritareTv.