Ministrja e Arsimit dhe Sporti u shpreh se: “Qeveria shqiptare garanton një kontribut financiar për këtë program ndërkombëtarizimi me rreth 2 milion euro”.

Tiranë, 28 maj –Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe University of Natural Resources and Life Sciences, BOKU, Vjenë, Austri.

Kësaj marrëveshje i ka paraprirë nënshkrimi, një muaj më parë, i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrive të Arsimit dhe të Bujqësisë së Shqipërisë dhe Austrisë, me qëllim për të transformuar dhe modernizuar Universitetin e Bujqësor të Tiranës.

Marrëveshja u firmos sot nga rektorët Eva Schulev-Steindl i Universitetit BOKU të Vjenës dhe Fatbardh Sallaku i UBT, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Ambasadorit të Austrisë në Shqipëri Christian Steiner, koordinatorit të projektit Prof. Hubert Hasenauer, si dhe pedagogëve e studentëve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh:
“Është realisht një moment historik. Tani ju takon të gjithëve ju, që të përfshiheni në këtë projekt dhe ta keni dhe ambicien edhe personale jo vetëm si akademike por dhe si shqiptarë që këtë universitet ku kaloni pjesën më të madhe të jetës suaj ta transformoni në një flamur të krenarisë për të gjithë shqiptarët. Me mbështetjen e partnerëve austriakë, kushtet për t’u rritur profesionalisht dhe për t’u përmirësuar dhe për t’u bërë ju stafi akademik i një universiteti europian janë të garantuara. Qeveria do jetë një mbështetje e vazhdueshme”- tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu tha se sot nis një kapitull i ri reformimi për Universitetin Bujqësor të Tiranës.

“Ky është një moment i rëndësishhëm për ndërkombëtarizimin e Universiteteve tia, një gur kilometrik për transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, në 2030 UBT si Universiteti Boku i Vjenës. Universiteti Bujqësor i Tiranës e meritonte të ishte pionieri në hapjen e këtij kapitulli të ri për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Për ne si Ministri Arsimi, ky bashkëpunim përfaqëson një model të ri për transferimin e dijeve dhe teknologjisë.
Do të jetë një rrugëtim 4-vjeçar, sfidues, me qëllim që UBT të shndërrohet në një universitet me standarde europiane, tërheqës jo vetëm për studentët tanë, por edhe për të rinj nga vendet e rajonit dhe më gjerë, që dëshirojnë të ndjekin një program studimi cilësor”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Universiteti Bujqësor i Tiranës nis kështu rrugën reformimit sipas standardeve të Universitetit BOKU të Vjenës, një prej universiteteve më të mira europiane në fushën e zhvillimit bujqësor, ushqimit dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ministrja Manastirliu tha se për UBT do të fillojë një proces transformimi rrënjësor, duke nisur nga rishikimi i programeve, kurrikula, trajnimi i stafit akademik, tek hapja e mundësive të reja të kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Me këtë marrëveshje synohet reformimi total i ofertës akademike për të ofruar programe studimi ndërkombëtare dhe të orientuara nga tregu i punës; Programe master në gjuhën angleze të njëjta me Universitetin BOKU; Shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve; riorganizimin e njësive të kërkimit shkencor; digjitalizimin; ndërkombëtarizimin e programeve të studimit si dhe riorganizimin institucional të UBT sipas përvojës së BOKU.

“Kemi vendosur të bashkëpunojmë duke vendosur burimet njerëzore dhe financiare. Për herë të parë qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit vendos një kontribut financiar për këtë program ndërkombëtarizimi me rreth 2 milion euro për këtë projekt, me besimin se do të jetë një proces që jo vetëm do të transformojë programet e studimit por do t’i japë një shtysë dhe kërkimit shkencor të UBT-së. Marrëveshja strategjike “UBT 2030” do të mbështetet në 6 shtylla kryesore të zhvillimit dhe reformimit të UBT, duke përfshirë ofertën akademike, kërkimin shkencor, transferimin e njohurive dhe teknologjisë, digjitalizimin.”, tha Ministrja Manastirliu.
Në 4 vite synohet të përmbushet transformimi i plotë i Universitetit Bujqësor në parametrat e BOKU, për ta kthyer UBT në një qendër ekselence për rajonin. I gjithë arsimi i lartë në Shqipëri ka hyrë tashmë në procesin e ndërkombëtarizimit me Kolegjin e Europës, me UNED-in spanjoll në Gjirokastër, me BOKU-në, përmes programeve dyfishe dhe diplomat e përbashkëta nëpër universitete, përmes marrëveshjeve ndërkombëtare që mundësojnë shkëmbimin e stafeve akademike, mobilitetin e studentëve dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, po sjellim në Shqipëri eksperiencat më të mira akademike.