Në Rumani po hetojnë nëse futbollisti Edgar Ié e ka detyruar vëllain e tij binjak Edelino të luajë në vend të tij pesë ndeshje për Dynamon e Bukureshtit, që po lufton për rënien nga kategoria.
Edgar Ié nënshkroi për Dinamon në shkurt, por duket se lojtari që mbërriti në Bukuresht ishte vëllai i tij binjak Edelino. Dinamo e zbuloi se Edelino nuk ishte Edgar Ié… sepse fliste vetëm portugalisht!
Rasti i shkëmbimit u zbulua nga gazetari Daniel Sendre, i cili raportoi se Dinamo Bukureshtit u befasua kur Edgar Ié nuk fliste mirë anglisht dhe komunikonte vetëm në portugalisht, pavarësisht se kishte luajtur në Spanjë, Francë, Turqi dhe Holandë.
“Më dukej surreale. E pyeta veten nëse ai ishte ende duke fjetur. Dhe fillova të bëj telefonata, të flas me miqtë dhe lajmi është i vërtetë, nuk mund ta besoj. Askush nuk e mohoi. Mora vesh që ai ka një vëlla binjak dhe që luan edhe futboll”,- deklaroi Florin Prunea, ish-lojtar dhe ish-president i Dinamos.
Gazetari rumun Emanuel Rosu ka publikuar se Dinamo i ka kërkuar të dyshuarit Edgar Ié që të tregojë lejen e drejtimit, gjë që lojtari e ka refuzuar. Çfarë mund të ndodhë me Dinamon e Bukureshtit nëse konfirmohet shkëmbimi mes Edgar Ié dhe binjakut të tij Edelino?