Tiranë, 16 Maj 2024 – Parlamenti i Republikës së Shqipërisë ratifikon sot memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”. Ratifikimi i memorandumit për programin “Fulbright” është një hap i rëndësishëm për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë shqiptarë në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor, të cilët bëhen përfitues të këtij programi.

“Duke u nisur nga eksperienca e shkëlqyer e viteve të mëparshme dhe interesi i lartë i profesionistëve të rinj, akademikë, studiuesve, pedagogëve e studentëve, ka lindur nevoja e rinovimit të këtij memorandumi, i cili ka një rëndësi të shumëfishtë, si në forcimin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve arsimore, shkencore dhe kërkimore. Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të mbështesë nga ana financiare programin “Fulbright Student”, duke u dhënë mundësinë studiuesve të rinj apo me më shumë përvojë, lektorëve të universitetit dhe ekspertëve nga institucione akademike dhe shkencore të bëjnë kërkime apo edhe të japin mësim në një universitet në Shtetet e Bashkuara”, tha Ministrja Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Kuvend.
Të rinjtë shqiptarë që do të ndjekin këtë program do të mbështeten financiarisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

“Qëllimi kryesor i tij është rritja e nivelit të kualifikimeve të studentëve, personelit akademik, profesionistëve, që i shtron rrugën për më tej projekteve të përbashkëta dypalëshe. Gjithashtu shërben për zhvillimin e burimeve tona njerëzore të cilët të përfitojnë nga ekselenca e shkollave më të mira të Amerikës duke kthyer më pas në vendin tonë dijet dhe aftësitë e përfituara në këto shkolla. Ky program është një mundësi më shumë jo vetëm në rritjen profesionale të individëve që bëhen pjesë e programit, por edhe të institucioneve tona akademike.”, tha Manastirliu. Ky program ka një rëndësi të shumëfishtë në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve arsimore, shkencore dhe kërkimore.