NJOFTIM PËR MEDIA

Pas Shirokës, Programi Kombëtar i Dezinsektimit ka vijuar në zonën bregdetare, pikërisht në Kavajë, tek Mali i Robit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu së bashku me drejtoreshën e ISHP-së, Eugena Tomoni, si dhe nënprefekti i Qarkut Tiranë, Parid Xhihani inspektuan nga afër procesin e dezinsektimit, i cili po kryhet në zonën bregdetare dhe urbane, sipas të gjitha standardeve për të minimizuar efektin negativ në natyrë dhe për të mbrojtur biodiversitetin e natyrës. Ministrja Koçiu nënvizoi se ky program kombëtar i dedikohet tërësisht pastrimit nga mushkonjat në territoret me pushues.

Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me pushtetin vendor për dezinsektimin edhe të sipërfaqeve që kanë bizneset private, sikundër edhe territori që mbulohet nga bashkitë e qarkut që të garantohet një mjedis sa më i sigurt dhe i shëndetshëm për pushuesit dhe turistët.

“Duhet fort që të respektohen masat higjieno-sanitare për të gjithë bizneset, gjithë operatorët privatë, që veprojnë. Jo pa qëllim kemi edhe Inspektoratin Shtetërore Shëndetësor, i cili gjithashtu kryen rol për të mbikëqyrur gjithë operatorët, bizneset private, gjithë strukturat akomoduese hoteliere të respektojnë masat higjieno-sanitare”, deklaroi Koçiu.

Ministrja e Shëndetësisë ka nënvizuar se dezinsektimit do të shtrihet në të gjithë vijën bregdetare, laguna dhe parqe, një proces i cili do të vijojë deri në tetor në varësi të kushteve meteorologjike. Monitorimi i vazhdueshëm do të kryhet çdo dy-tre javë, në varësi edhe të situatës.

Në Malin e Robit janë rreth 13 hektarësh kanale, pellgje, parqe, puseta, të cilat janë vlerësuar nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në bashkëpunim me bashkitë, për sa i përket territoreve ku janë evidentuar larvat apo habitatet të cilat janë të rriskuara për prezencën e tyre.