Një gazetar dhe një punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës kanë përfunduar pas hekurave, pasi akuzohen se ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike dhe denigronin titullarë të institucioneve.
Bëhet fjalë për Ervis Hasanaga, me profesion gazetar dhe Regina Omeri, punonjëse e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Kushtim Selimi.
NJOFTIMI I POLICISE
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:
R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;
E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.