Mbi një muaj më parë gjatë përurimit të Qendrës së Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama vendosi si objektiv për vitin 2030 ringjalljen e industrisë ushtarake dhe nisjen e eksportit të armëve “Made in Albania”. Qeveria duket tepër ambicizoe në këtë drejtim, saqë është hedhur për konsultim publik një projektligj që parashikon “krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake”. Në nenin 1 të këtij ligji nënvizohet se ai ka për qëllim krijimin e shoqërisë shtetërore “KAYO” me fond fillestar 3 milionë euro, për prodhim, demilitarizim dhe tregimin e armëve e municioneve. Deputeti i PS, Denis Deliu në “Ditari” i A2CNN ka thënë zbuluar se emri “KAYO” është zgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes që është hartuese e projektligjit si më përfaqësuesi dhe tërheqësi për një subjekt që prodhon e shet armë.
“Me këtë emër do të ishte shumë më e lehtë. Ata që kanë hartuar ligjin kanë menduar që kompanitë e huaja të kërkojnë dhe klikojnë qoftë edhe në internet për të blerë armatime. Kanë menduar që ky lloj emri mund t’i japë sukses kompanisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.” Sipas Deliut, “KAYO” fillimisht do të plotësojë nevojat e vendit dhe kur armatimet dhe municionet të jenë për eksport, gjasat janë që do të krijohet një fond i posaçëm për ta ndihmuar kompaninë që të studojë tregun e armatimeve dhe të prodhojë atë që kërkon e ardhmja.
“Fillimisht, do të nisë me armë të lehta dhe municion, por duke parë tregun dhe koston që Shqipëria mund t’i ofrojë vendeve të tjera, kjo kompania mund të bëhet konkurruese për tregun e jashtëm. 3 milionë euro nuk është e mjaftueshme. Është pagesa paraprake e buxhetit të shtetit, ndërkohë që në ligj është parashikuar bashkëpunim me palë të treta. Ne kemi bashkëpunim me kompani ushtarake të vendeve mike të NATO-s siç është Berreta e Italisë, apo fabrika e dronëve Bayraktar. Ministritë e Mbrojtjes së Turqisë dhe Italisë i kanë qëndruar afër Forcave të Armatosura.” Përveç synimit afatgjatë për të shitur armë, sipas deputetit socialist kompania shtetërore që do të krijohet do të prodhojë fillimisht armë të lehta dhe municione për Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
“Armatimi i lehtë që përdorin Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe Policia e Burgjeve është një armatim që kërkon edhe konsumim të madh të fishekëve. Konsumimi i numrit të fishekëve ka kosto për buxhetin e shtetit. Ky lloj prodhimi do të sillte mbulimin e nevojave me gjysmë çmimi brenda vendit dhe në shtetin e Kosovës. Pra FA, Garda e Republikës do të përgatiten më mirë në njohjen e armëve të zjarrit. Shqipëria do të kishte patentën e saj dhe nuk do të kishte nevojën të blinte armatim nga jashtë. Shqipëria ka eksperiencën në prodhimin e armëve. Ka burime njerëzore që kanë pasur eksperiencë dhe përvojë të gjatë në prodhimin e armëve. Po ashtu kemi uzina dhe kombinate, të cilat sot fatkeqësisht nuk janë funksionale. Nuk ka pse Kosova apo Shqipëria të blejnë armatim nga jashtë kur mund t’i kemi kapacitetet këtu.”