Një rrugë në Tiranë, në hyrjen veriore të Liqenit Artificial, do të mbajë emrin e sipërmarrësit Dritan Mezini, i cili u nda nga jeta pak kohe me pare.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se Mezini i përkiste një skuadre ku njerëzit flisnin mirë për njëri-tjetrin.

“Unë besoj se kjo është patjetër një ditë kujtimi, por nuk është një ditë për të qarë, është një ditë për të festuar jetën e Tanit. Sot do të kem gjithmonë kënaqësi, sa herë që të shëtis me tim bir në kete rruge të kem një përgjigje shumë të mirë kush është xhaxhi Tani, që e donte shumë Tiranën, që i dha pafund dashuri”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u ndal edhe te projektet që Mezini la pas vetes, duke theksuar se ai do t’i frymëzojë të gjithë. Veliaj tha se fëmijët e Mezinit do të rriten me mungesën e figurës atërore, por do të mësohen të jenë të fortë për të marrë vetë vendimet e tyre.

“Nuk e di sa do vazhdojë “Dua punë”, nuk e di sa do vazhdojnë shoqatat, nuk e di sa do vazhdojnë shumë prej projekteve, por e di që dashuria e Tanit do vazhdojë, do jetë një dozë që do na frymëzojë të gjithëve.

Dritan Mezini, sipërmarrës në fushën e teknologjisë së informacionit, ndërroi jetë më mënyrë të beftë, pas një ataku kardiak në moshën 52-vjeçare, në janar të këtij viti. Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi në mënyrë unanime të përjetësojë emrin e tij në një rrugë që ai e bënte çdo ditë, teksa dilte për vrap te kodrat e Liqenit Artificial.