Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua në mënyrë brutale nga tre persona për shkak të detyrës. Siç bëri të ditur edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, nga veprimet hetimore rezulton se avokati ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në shkallë të parë dhe në apel një familje, e cila kishte të trashëguar një pronë në qytetin e Tiranës.
Proces gjyqësor është fituar nga pala e përfaqësuar nga avokati Mëngjesi. Sipas policisë, disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës së nënshkruar me Studion Ligjore “ALTERUM SHPK”.
Gazetari Igi Çelmeta raporton se pala fituese nuk ka respektuar detyrimet që kanë pasur ndaj avokatit dhe studios ligjore. Disa prej përfituesve nuk kanë rënë dakord me shpenzimet në studion ligjore.
ORGANIZATORI DRITAN NANO
Kanë qenë më total 8 trashëgimtarë që i përfaqësonte si avokat Mëngjesi dhe një nga 8 trashëgimtarët nuk ka pranuar ta zbatojë kontratën mes Mëngjesit dhe 8 trashëgimtarëve.
Çështja është fituar në dy shkallët e gjyqësorit nga 8 trashëgimtarët që përfaqësonte avokati. Në të tilla kushte, avokati ka kërkuar të respektohet kontrata që kishin lidhur dhe dyshohet që vetëm Dritan Nano nuk ka pranuar.
I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore duke kërcënuar avokatin që të tërhiqet nga përqindja që duhet të merrte.
Takimi i para një muaji ka qenë i fundit para dhunës, por nuk kanë rënë dakord, pasi Sokol Mëngjesi ka pretenduar se ka një kontratë që duhet ta zbatojë studio ligjore. Çështja për të cilën bëhet fjalë është një truall toke ku rezultojnë pronarë 8 anëtarët, ku momentalisht mbi këtë truall është ndërtuar.
AUTORET E SULMIT
– Dorian Beqir Alia, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili është vetëdorëzuar në Polici;
– Drivald Sokol Alia, 21 vjeç, banues në Tiranë;
– Elton Ndue Kasaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;
– Romario Roberto Tabaku, 26 vjeç, banues në Tiranë (i cili ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes me automjetin tip Audi me targë AB 696 JT).