Nga Mero Baze/
Shikoj se ka një nxitim që vjen nga sëmundja kronike për t’i thënë jo çdo iniciative politike të qeverisë. Është e qartë se qeveria po matet të nisë një reformë në drejtësi nr. 2, tashmë për integritetin e zyrtarëve të shtetit dhe të thellimit të betejës kundër korrupsionit në çdo qelizë të administratës. Rezoluta është thjeshtë një akt politik, që lajmëron nisjen e procesit.
Nuk është një ide e re. As e kësaj jave. Është një proces që ka një histori konsultimi me faktorin ndërkombëtar dhe natyrisht korrektim idesh për mënyrën se si duhet të shkohet pa cenuar reformën aktuale në drejtësi.
E kuptoj që Berisha dhe Meta nuk janë të interesuar për një opozitë që bashkëpunon me Perëndimin dhe e refuzojnë në parim bashkëpunimin. Por të tjerët nga përvoja që kanë, nuk duhet të nxitohen.
Opozita e ka ndihmuar Edi Ramën sa herë ka refuzuar të bashkëpunojë. E ka ndihmuar më 2015 kur refuzoi reformën territoriale, e ka ndihmuar më 2019 kur iku nga Parlamenti dhe akoma më shumë kur ikën nga zgjedhjet lokale. Thjesht i forcuan pushtetin. Opozita nga ana tjetër e ka dëmtuar rëndë Edi Ramën kur ka bashkëpunuar me të në rrugë institucionale, siç ka qenë ligji i dekriminalizimit apo reforma në drejtësi, pasi ato sollën një tërmet real në politikën shqiptare dhe ndarjen e politikës nga krimi.
Madje dhe në një komision hetimor që kanë bashkëpunuar, siç ishte ai inceneratorëve, drejtuar nga Jorida Tabaku, ka rrëzuar gjysmën e qeverisë. Kështu që nuk është ide e mirë t’ia japin Edi Ramës fitoren në tavolinë, duke i lenë atij retorikën antikorrupsion në politikën shqiptare. Ka plot mënyra se si të reformohet ideja e qeverisë për këtë reformë, si të bashkëpunohet, çfarë të propozohet, pasi në fund të fundit do të jenë rregulla të përbashkëta, që do t’u shërbejnë gjithë palëve për një administratë sa më pak të korruptuar.
Versioni më i lehtë për qeverinë në këtë situatë është që ta refuzojë çdo opozitar projektin antikorrupsion dhe ata të vazhdojnë të bënë sikur po kërkojnë rrugë të reja për ta bërë vetë, aq sa mundin. Pjesëmarrja është e sigurtë që e vë qeverinë në pozitë më të vështirë se bojkoti. Siç e ka vënë gjithnjë kur është përballur në tryezë me opozitën dhe siç është lehtësuar gjithnjë, kur opozita e ka lënë vendin bosh.